Një shtetas i Kosovës, i kërkuar nga autoritetet amerikane për përfshirje të dyshuar në krime kibernetike, u ekstradua të enjten, më 19 nëntor, nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Policia e Kosovës njoftoi se ekstradimi u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera policore dhe institucionet e drejtësisë.
Sipas njoftimit, personi ishte në kërkim në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet amerikane të drejtësisë.
“I dyshuari iu dorëzua njësisë U.S. Marshals të SHBA-së, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’”, bëri të ditur Policia.
Autoritetet kosovare nuk e bënë publik identitetin e të ekstraduarit, moshën e tij apo hollësi për veprat penale për të cilat kërkohet në SHBA.
Radio Evropa e Lirë i kërkoi Policisë së Kosovës informacione shtesë për rastin – përfshirë kohën dhe vendin e arrestimit, akuzat konkrete dhe nëse ekstradimi lidhet me ndonjë operacion të mëhershëm të përbashkët me autoritetet amerikane – dhe është në pritje të përgjigjes.
Në korrik të këtij viti, Policia e Kosovës arrestoi një person në rajonin e Prizrenit, nën dyshimin se kishte siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna bankare dhe personale, kryesisht të qytetarëve amerikanë, dhe i kishte publikuar ato në platforma në internet.
Policia tha atëkohë se hetimet ishin zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe se veprimet e mëtejshme do të koordinoheshin me to.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, përmes kësaj platforme ishin realizuar mbi 7.600 transaksione, me të ardhura prej së paku 232 mijë dollarësh.
Nuk dihet nëse ekstradimi i 19 nëntorit ka lidhje me ndonjërin prej këtyre rasteve.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 18 nëntor, shefi i hetimeve të krimeve kibernetike në Policinë e Kosovës, Fadil Abdyli, tha se hetimi i mashtrimeve online mund të kërkojë bashkëpunim me bankat dhe policitë e shteteve të tjera.
Sipas tij, autori mund të ndodhet në një shtet, viktima në një tjetër dhe infrastruktura e përdorur për mashtrim në një shtet të tretë.
Përfshirja e autoriteteve të huaja mund t’i zgjasë hetimet, pasi, siç tha Abdyli, “nuk është një punë që mund të kryhet menjëherë”.
Ai tha se Policia e Kosovës ka ekipe për hetimin e krimeve kibernetike në nivel qendror dhe rajonal, si dhe bashkëpunon me institucione vendore e ndërkombëtare për trajtimin e këtyre rasteve.
