Bashkimi Europian dhe Agjencia Franceze për Zhvillim po financojnë rreth 118.2 milionë euro për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve dhe përmirësimin e trajtimit të ujërave të ndotura në qytetin e Durrësit.
Marrëveshja u firmos nga ministri i Financave, Petrit Malaj, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, dhe drejtori i Përgjithshëm i AFD Group, Christophe Lecourtier.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe Shefja e Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ritva Heikkinen, si dhe zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali.
Përmes grantit të Bashkimit Evropian, në vlerën e rreth 85 milionë euro, dhe huasë së AFD-së prej 33.4 milionë euro, po financohet projekti për përmirësimin e kanalizimeve dhe të sistemit të ujërave të ndotura në qytetin e Durrësit.
Vlera totale e programit arrin në rreth 118.2 milionë euro, duke përfaqësuar një investim të rëndësishëm në infrastrukturën publike, me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Durrësit, përmes përmirësimit të shërbimeve dhe krijimit të një mjedisi më të pastër.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe AFD-së për këtë projekt, duke theksuar rëndësinë e tij për përmirësimin e kanalizimeve dhe sistemit të ujërave të ndotura në Durrës dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që do të ketë në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Bashkëpunimi do të zgjerohet edhe më tej me fazën e dytë të programit, ku pjesa më e madhe e financimit nga Bashkimi Evropian, në vlerën 52 milionë euro, do të jetë grant. Ky financim përbën një mbështetje të rëndësishme për vijimin e investimeve në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve.
Ministri Malaj shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave për forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe AFD-në, për financimin e projekteve në dobi të komunitetit, që sjellin shërbime më të mira dhe kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i AFD Group, Christophe Lecourtier, u shpreh se projekti do të përmirësojë kushtet e jetesës për më shumë se 400 mijë njerëz që jetojnë në qytet ose që vijnë në qytet për pushime.
Kjo, sipas tij, është një mënyrë edhe për të rikonfirmuar se rruga që Shqipëria po ndjek drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbështetet plotësisht si nga Komisioni Evropian, ashtu edhe nga shtete anëtare të rëndësishme si Franca.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Ritva Heikkinen, vlerësoi se “ky është investimi më i madh i Bashkimit Evropian në fushën e mjedisit në Shqipëri deri më sot”.
“Përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, ne do të ofrojmë rreth 85 milionë euro financim në formën e grantit. Presim që projekti të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të rëndësishëm në jetën e qytetarëve të Durrësit. Ai do të përmirësojë shërbimet e kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të zeza, duke kontribuar në reduktimin e ndotjes mjedisore përgjatë bregdetit të Adriatikut”, u shpreh ajo.
Nënshkrimit të marrëveshjes i parapriu një takim i ministrit Malaj me ambasadoren e Francës, Catherine Suard, dhe ekipin e AFD Group, të përbërë nga drejtori i Përgjithshëm i AFD Group, Christophe Lecourtier, drejtori i Agjencisë për Ballkanin Perëndimor, Arnaud Dauphin, Shefi i Shërbimeve Ekonomike për rajonin e Ballkanit, Pierre Sentenac, dhe Përfaqësuesi për Shqipërinë i AFD Group, Martin Foeth.
Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë, Bashkimit Evropian dhe AFD-së, me fokus te mbështetja për investimet në infrastrukturën publike dhe veçanërisht në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Palët vlerësuan rëndësinë e financimeve dhe bashkëpunimit të përbashkët për projekte që përmirësojnë shërbimet publike dhe sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
Në takim u diskutua gjithashtu për vijimin e bashkëpunimit dhe projekte të tjera në fusha me rëndësi për zhvillimin e vendit.
Ministri Malaj vlerësoi mbështetjen e AFD-së dhe Bashkimit Evropian, duke nënvizuar angazhimin e Ministrisë së Financave për të vijuar forcimin e partneritetit me institucionet evropiane dhe ndërkombëtare, në mbështetje të projekteve në dobi të komunitetit.
