Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se shumë shpejt do të udhëzojë Byronë Federale të Burgjeve për të rindërtuar dhe rihapur burgun famëkeq të Alcatrazit në Gjirin e San Franciskos për të “strehuar kriminelët e dhunshëm të Amerikës”.
“Rindërtoni dhe hapni Alcatrazin ! Për një kohë shumë të gjatë, Amerika është mbushur me kriminelë të dhunshëm, të cilët nuk do të kontribuojnë kurrë asgjë tjetër përveç mjerimit dhe vuajtjes. Kur ishim një komb më serioz, në të kaluarën, nuk hezitonim të burgosnim kriminelët më të rrezikshëm dhe t’i mbanim larg kujtdo që mund të dëmtonin. Kjo është arsyeja pse po i drejtohem Byrosë së Burgjeve, Departamentit të Drejtësisë, FBI-në dhe Sigurinë Kombëtare, të rihapin Alkatraz . Ne nuk do të mbahemi më peng të kriminelëve, banditëve dhe gjyqtarëve që kanë frikë të bëjnë punën e tyre. Rihapja e Alcatraz do të shërbejë si një simbol i Ligjit, Rendit dhe drejtësisë”, tha Donald Trump.
Burgu federal në Alcatraz dikur strehonte kriminelë famëkeq amerikanë si Al Capone përpara se të mbyllej në vitin 1963. Tani është një nga destinacionet turistike më të njohura të San Franciskos. Ndërsa po kthehej në Shtëpinë e Bardhë nga Florida, Trump u tha gazetarëve se rihapja e burgut ishte ” një ide që e kam patur prej kohësh”.
Alcatrazi u cilësua si burgu më i sigurt i Amerikës pasi asnjë arratisje e suksesshme nuk është regjistruar, megjithëse pesë të burgosur janë të listuar si “të zhdukur “. Alcatraz u mbyll sepse ishte pothuajse tre herë më i kushtueshëm për t’u operuar sesa çdo burg tjetër federal.
Ndërkaq Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pohuar se presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, refuzoi një ofertë për të dërguar trupa amerikane në vendin e Amerikës Latine për shkak të frikës së saj nga kartelet e drogës.
“Nëse Meksika do të donte ndihmë me kartelet, do të ishim të nderuar ta bënim. Ia thashë këtë. Kartelet po përpiqen të shkatërrojnë vendin tonë. Ata janë të këqij. Vitin e kaluar 300,000 njerëz vdiqën nga fentanili. Presidentja e Meksikës është një grua e mrekullueshme, por ajo ka aq shumë frikë nga kartelet saqë as nuk mund të mendojë qartë”, shtoi më tej Presidenti Trump.
Sheinbaum ka bërë të ditur edhe më herët se Meksika nuk do ta pranonte kurrë praninë e trupave amerikane në territorin e saj. Trump shpesh e ka akuzuar Meksikën se nuk po bën mjaftueshëm për të ndaluar drogat e paligjshme përtej kufirit jugor të SHBA-së.