Sërish “tym i zi” nga Kosova. E teksa Vatikanit iu deshën vetëm 2 ditë dhe 4 raunde votimi për të zgjedhur Atin e Shenjtë, mes politikanëve në Kosovë nuk ka dakordësi për kryetarin e Kuvendit.
Sot ishte tentativa e 13-të për konstituimin e një nga institucioneve më të rëndësishme, siç është parlamenti, por pati fatin e 12 të tjerëve.
Kryetari i përkohshëm i Kuvendit, deputeti Avni Dehari, tha se nuk u arrit kuorumi i nevojshëm në mënyrë që votimi për kryeparlamentarin të jetë i fshehtë. Vetëm LVV-ja është pro kësaj lëvizjeje, ndërsa partitë e tjera e refuzojnë atë, madje nuk e votojnë fare.
E kësisoj 3 muaj nga zgjedhjet, Kuvendi i Kosovës mbetet ende i pakonstituuar. Kjo bën që vendi të mos ketë as qeverinë e re të dalë nga votimet e 9 Shkurtit. Seancat për konstituimin e institucioneve të reja ka nisur që me datë 15 Prill. Deri më sot nuk është zgjedhur ende një zgjidhje.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka propozuar Albulena Haxhiun si kryeparlamentare. Por kjo kundërshtohet nga partitë opozitare. Ata e konsiderojnë atë si figurë përçarëse. Gjatë kësaj kohe, LVV nuk ka arritur t’i bëjë votat për të miratuar kryeparlamentaren, por gjithsesi nuk heq dorë nga ajo, pasi e konsideron si kandidate “meritore”.
Duke parë situatën, LVV iu drejtua LDK-së me një kërkesë për koalicion. Por kjo u refuzua nga kryetari Lumir Abdixhiku, i cili ka bërë thirrje për një qeveri tranzicioni.
Kjo është kundërshtuar nga Vetëvendosja, por partitë e tjera parlamentare kanë shprehur vullnetin për të biseduar.
Deri më tani nuk dihet se si do të veprohet, ndërkohë që është folur edhe për zgjedhje të reja.