Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së ka proceduar në Kuvend kërkesën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza tha se Kosova po kalon ditë të vështira dhe se protestat e qytetarëve kundër vendimeve të Gjykatës Speciale nuk mund të injorohen. Sipas tij, as Kuvendi i Kosovës nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk ka ndikim në vend.

“Kjo gjykatë nuk është imponuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por është krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës”, deklaroi Hamza.

Ai u shpreh se procesi që çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara nisi me raportin e Dick Martyt dhe rezolutën e Këshillit të Evropës, ku, sipas tij, në qendër të vëmendjes ishin pretendime të rënda ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj.

“Kosova mori një vendim të vështirë dhe veproi me bindjen se nuk kishte asgjë për të fshehur. Sot, pas më shumë se një dekade, ekziston një fakt që kërkon përgjigje. Në Dhomat e Specializuara nuk është ngritur një rast lidhur me pretendimet e Martyt”, tha Hamza.

Sipas tij, projektligji i propozuar nga PDK-ja nuk synon mbylljen e Dhomave të Specializuara dhe as pengimin e hetimeve apo proceseve që lidhen me mandatin e tyre.

“Nëse Kosova krijoi këtë Gjykatë me mision të posaçëm, a duhet që ky mision të ketë një kufi. Projektligji jep një përgjigje të qartë. Nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara. Nuk kërkon që akuzat që lidhen me pretendimet për të cilat u krijuan Dhomat e Specializuara të mos hetohen. Ato raste do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të tyre. Kjo nuk është nismë për pandëshkueshmëri. Është nismë për të paracaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë”, u shpreh ai.

Hamza tha se projektligji trajton edhe çështjen e rasteve që aktualisht janë në proces gjyqësor në Hagë. Sipas tij, procedurat ekzistuese do të vazhdonin deri në përfundimin e fazës së Apelit.

“Sipas zgjidhjes së propozuar, procedurat aktuale vazhdojnë deri në përfundimin e fazës së Apelit, por nëse një rast rikthehet në rigjykim, ai nuk do të nisë nga e para në Hagë. Në atë moment zbatohet juridiksioni i ri dhe, kur të plotësohen kushtet, rasti do të kalojë për procedim në Kosovë”, deklaroi kryetari i PDK-së.