Plotësimi dhe dorëzimi në formë elektronike i Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, siç njihet ndryshe DIVA, duhet të bëhet brenda 31 Marsit. Risia e këtij vitit është ulja e kufirit për plotësimin e saj, nga 2 milionë Lekë të ardhura vjetore në 1.2 milionë.
Për shkak të këtyre ndryshimeve ligjore, detyrimin për të plotësuar DIVA-n e kanë të gjithë qytetarët që paguhen me rrogë mujore bruto mbi 100 mijë Lekë, ose thënë ndryshe ata që rrogë mujore neto që u kalon në bankë e kanë 80 mijë Lekë.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve parashikohet që numri i deklaruesve të DIVA 2024 të dyfishohet në krahasim me vitin e shkuar për shkak të uljes së kufirit të të ardhurave, duke bërë që numri total i deklaruesve të jetë mbi 144 mijë individë.
Sipas të dhënave zyrtare vitin e shkuar DIVA u plotësua nga rreth 74 mijë individë, nga të cilët gati 24 mijë persona me të ardhura mbi 2 milion Lekë në vit, dhe rreth 50 mijë të dy punësuar.
Për individët që do të deklarojnë DIVA për herë të parë, fillimisht duhen të regjistrohen elektronikisht në faqen zyrtare të tatimeve duke zgjedhur modulin e-shërbime.
Më pas, si për ata që e kanë plotësuar më parë dhe ata që regjistrohen për herë të parë, deklarata e të ardhurave personale për periudhën Janar-Dhjetor 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht nga sistemi i tatimeve. Deklaruesit duhet të plotësojnë vetëm të dhënat e tyre personale.
Nëse nga përllogaritja e të dhënave do të rezultojë diferencë për t’u paguar, pasi të plotësohet deklarata, duhet të printohet urdhërpagesa dhe të vijohet me pagimin e tatimit.
Kush nuk bën deklarimin brenda afatit 31 Mars, ligji parashikon gjobë, e cila është 3 mijë Lekë.