Një bombol gazi ka shpërthyer në një banesë në katin e pestë të një pallati në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në lagjen nr.5, ku fatmirësisht nuk ka të plagosur.
Nga pamjet shohim që shpërthimi ka qenë i fortë, pasi shihen copa xhami të thyer dhe perde të rrëzuara në tokë.
Shpërthimi ka ndodhur në katin e pestë të një pallati, ndërsa mësohet se në banesë jetonin vetëm dy të moshuar. Po ashtu, mësohet se ka pasur vetëm dëme materiale.
Policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kjo rrugë është një nga më të populluarat dhe me numrin më të madh të qytetarëve gjatë orëve të mëngjesit. Policia dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë hetimet përkatëse.

