Kreu i KQZ-së Ilirjan Celiabashi në një konferencë për mediat i është përgjigjur interesit të mediave lidhur me procesin e votimit nga diaspora.
Celibashi në fjalën e tij bën të ditur se sipas tij pavarësisht rasteve sporadike, procesi po ecën shumë mirë dhe nuk kemi të bëjmë me një proces të dështuar, por një proces që po ecën mirë, por ka problemet e veta.
Kryekomisioneri raporton se numri i kthimit të fletëve të votimit është relativisht i lartë ku përllogaritet mbi 17 mijë fletë votimi, teksa shton se mbeten rreth 30 mijë zgjedhës që akoma nuk e kanë marrë fletën e votimit.
“Me rëndësi ngelet që fletët e votimit të mbërrijnë 100% tek votuesit dhe të kthehen mundësisht 100%. Kthimi mbetet në vullnetin e votuesve. Numri i kthimit mendoj unë është relativisht i lartë.
Kemi 17 mijë e pak votues nga 245935 që e kanë kthyer fletën e votimit. Po e ndjekim dhe jemi në ndjekje të përmbushjes së detyrimeve të DHL për detyrimin që ata kanë për të shpërndarë të gjithë dokumentacionin zgjedhor.
Ngelen rreth 30 mijë zgjedhës që akoma nuk e kanë marrë. Kemi diçka më pak se dy javë në dispozicion dhe mendoj që është e mundur që të shpërndahen edhe ato fletë votimi që nuk janë shpërndarë deri tani.
Tej problematikave sipas gjykimit tim, procesi është duke shkuar relativisht mirë. Nuk kemi probleme të mëdha.
Nuk kemi një sistem që po dështon. Kemi një sistem që po funksionon, por ka probleme.
Është një sistem komplet funksional. Po bashkëpunojmë me të gjithë aktorët në këtë proces”, shprehet Celibashi.
Ndërkohë i pyetur lidhur me problematikat që mund të shfaqen me pajisjet e votimit elektronik, Celibashi është shprehur se problematikat e 2023 kishin të bënin me aspektin organizativ dhe jo me pajisjet.
Kryekomisioneri shton se edhe këto problematika janë adresuar dhe në zgjedhjet e 11 Majit nuk do të kemi probleme si ato të 2023.
“Problematikat e 2023 lidhen me aspektin organizativ nga ana e jonë si KQZ. Për shkak të disa gabimeve dhe nuk kanë të bëjnë asesi me vetë pajisjen në vetvete.
I kemi adresuar ata probleme dhe jemi duke punuar me specialistë të fushës dhe mendoj që në zgjedhjet e 11 Majit nuk do të kemi probleme si ato të 2023”, thekson Celibashi.