Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një takim me bizneset në Tregun Artizanal të Krujës nuk i ka kursyer sulmet ndaj qeverisë.
Berisha në fjalën e tij është shprehur se në Krujë janë bërë zero investime në 12 vitet e fundit, teksa shtoi se rruga ka mbetur po e njejtë siç ka qenë.
“Ne jemi për një ndryshim të madh. Së pari këtë ndryshim ne do ta nisim atje ku është dhimbja, dhe dhimbja është tek ata, të cilët paguhen sot 3 herë më pak se sa duhet të paguheshin po të krahasohej rritja e çmimeve. Pra, një pensionist që në vitin 2013, vit në të cilin buka ishte 400-500 lekë dhe sot është 900-1000 lekë, vit në cilin domatet ishin 100 lekë dhe sot janë 400 lekë. Pra, mallrat dhe ushqimet baze ishin mbi 100 përqind më të lira se sot. Në qoftë se bëjmë modelimin, do gjejmë se pensioni që ishte 120 euro, duhej të ishte sot minimumi 390-400 euro në qoftë se rregulli është që rritja e çmimeve të mbulohet me rritjen e rrogave dhe pensioneve. Por ky u kujtua për rrogat e veta, rriti rrogat e zyrtarëve të lartë, i tre ose katërfishoi ato, kurse rrogat e ulëta dhe pensionet i la me indeksim apo pa indeksime, dhe faktikisht qoftë rroga e ulët, qoftë pensioni, janë në përpjestim të zhdrejtë me çmimet”, theksoi lideri demokrat.