Ish-kryeministri Sali Berisha bëri sot një denoncim të fortë
sa i takon zhvleftësimit të euros në vend. Në një dalje për mediat, Berisha tha
e Tirana është lavatriçe e parave të pista.
Ai tha se eurot e pista që futen me furgonë, groposen dhe me
to blihen ndërtime të paluajtshme.
“Jemi sot këtu për një problem shumë tronditës, i cili
shoqërohet me një goditje shumë të rëndë të prodhimit, për aq sa eksportet janë
motori i fuqishëm i tij. Shoqërohet me një goditje shumë të rëndë të punësimit,
për aq sa sektori i eksporteve është një sektor madhor punësimi në këtë vend,
shoqërohet me një disbalancë, thellim të mëtejshëm të dispalancës tregtare dhe
lëkundje në themel të ekonomisë shqiptare.
Janë debate të shumta dhe normale, mbi këtë situatë të
zhvlerësimit të pamëshirë të monedhës evropiane, dhe të forcimit jashtë të çdo
lloj logjike të lekut shqiptar. Nuk ka diskutim se leku është një simbol
kombëtar dhe si i tillë forcimi i tij duhet të jetë çështje krenarie, por në
këtë rast është një çështje turpi kombëtar. Kjo sepse ata të cilët përfitojnë
nga ky raport i krijuar lekë-euro dhe euro-lek janë narkoqeveritarët dhe
narkotrafikatët. Nga ky raport goditen në masë qindra dhe mijëra familje shqiptare
që mbyllin ditën dhe muajt me të ardhurat e tyre në sipërmarrje që eksportojnë.
Nga ky raport goditet mbi 30% e popullatës shqiptare e cila jeton, përballon
ditën me remitancat e rregullta që u dërgohen nga njerëzit e vet në emigracion
dhe nja 40% të tjera që marrin herë pas here dhe i kanë pjesë të llogaritur të
buxhetit.
Nga ky raport ata që përfitojnë janë përbindëshit e
trafiqeve të drogës, të cilët fusin në Shqipëri euro me kontejner, kamionë,
mikrobusë, i mbajnë të groposura dhe i nxjerrin për ndërtime, i nxjerrin për të
blerë më çmime stratosferike dhe bëjnë që ajo rritje ekonomike jo që të mos
shoqërohet me një përmirësim të gjendjes ekonomike të familjeve të thjeshta
shqiptare, por përkundrazi me një varfërim më të madh progresiv dhe ajo rritje
të shkojë e tëra tek oligarkët dhe klanet e drogës.”, tha Berisha.