Klevis Balliu dhe Gazment Bardhi u përjashtuan me nga 60 ditë secili nga Parlamenti, pas tensioneve në seancën e fundit plenare, ku u votuar Reforma e re Territoriale.
“E gjithë kjo ndodh me urdhër të Edi Ramës. Nuk ka asnjë nen në rregulloren e parlamentit që të përjashtohen deputetët për dy muaj. Është hera e parë në historinë e botës që morëm vesh se veza është lëndë piroteknike, nuk e bën pula. Ne mund të jemi gabim, po sa të rrosh do mësosh. Kjo ka vetëm një qëllim. Të godasë Grupin Parlamentar të PD. Të godasë debatin në Parlament. Të godasë të drejtën tonë, se ju e keni parë që shishja e parë lëshohet nga PS. Kur reagojmë ne, është problem. Na kërkohet përjashtimi me dy muaj. Në cilin vend të botës ndodh që të përjashtohet me dy muaj deputeti?
Jemi akuzuar se kemi ofenduar Niko Peleshin. Ne nuk e dinim fare që Niko Peleshi ishte aty. Të na kursenin idiotësirat dhe të thonin të vërtetën. Të arrish sa të nxjerrësh lëndë piroteknike vezën është kulmi. Sigurisht që do e ankimojmë. Kemi pasur edhe një vendim të gjykatës që nuk e quan vezën akt dhune. Këtu na del me vendim tjetër Parlamenti”, tha Balliu.
