Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njoftoi sot, se si rezultat i kontrolleve të ushtruara në terren janë goditur dy raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël.
Në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, shërbimet e Policisë konstatuan 768 bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis sativa, si dhe 80 kubikë me fidanë të dyshuar të kësaj bime. Gjatë ndërhyrjes në flagrancë u arrestua shtetasi P. M., 53 vjeç, banues në fshatin Ndrejaj.
Ndërkohë, Policia bëri me dije se në njësinë administrative Kelmend, në fshatin Vukël, u konstatuan 1250 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi u kap në afërsi të parcelës së kultivuar.
Sipas Policisë, nisi edhe procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. B., 65 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Vukël.
Në total, gjatë operacionit u asgjësuan me djegie 2098 bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë.
Policia e Shkodrës bën me dije se kontrollet në territor vijojnë me intensitet, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
