Një epokë e re po nis për Apple, pasi kompania ka emëruar John Ternus si drejtorin e ri ekzekutiv, duke zëvendësuar Tim Cook pas 15 vitesh në krye të gjigantit teknologjik.
Ternus, aktualisht drejtues i inxhinierisë së harduerit dhe pjesë e Apple prej 25 vitesh, do të marrë detyrën më 1 shtator. Ndërkohë, Cook do të kalojë në rolin e kryetarit ekzekutiv. Ai do të qëndrojë në postin e CEO-s gjatë verës për të siguruar një tranzicion të qetë dhe më pas do të vijojë të kontribuojë në disa aspekte të kompanisë, përfshirë angazhimin me politikëbërës në mbarë botën.
Cook mori drejtimin e Apple në vitin 2011, pas dorëheqjes së bashkëthemeluesit Steve Jobs për arsye shëndetësore, pak kohë para ndarjes së tij nga jeta. Gjatë mandatit të tij, Apple u shndërrua në një nga kompanitë më të vlefshme në botë, duke arritur në vitin 2018 një vlerë tregu prej 1 trilion dollarësh dhe duke u rritur më tej në rreth 4 trilion dollarë sot.
Duke folur për pasardhësin e tij, Cook e cilësoi Ternus si një drejtues “vizionar” me “mendjen e një inxhinieri dhe shpirtin e një novatori”, duke shtuar se ai është “personi i duhur për ta udhëhequr Apple drejt së ardhmes”.
Ternus u konsiderua favorit për këtë rol që vitin e kaluar, pas largimit nga kompania të drejtuesit operativ Jeff Williams. Gjatë karrierës së tij në Apple, ai ka kontribuar në pothuajse çdo produkt madhor, përfshirë të gjitha gjeneratat e iPad, shumë versione të iPhone, si dhe lançimin e AirPods dhe Apple Watch. Ai gjithashtu udhëhoqi kalimin e kompjuterëve Mac nga procesorët e Intel tek çipat e zhvilluar nga vetë Apple.

Në një deklaratë, Ternus e quajti Cook “mentor” dhe u shpreh optimist për të ardhmen e kompanisë.
Emërimi i një drejtuesi me fokus në produkt dhe harduer shihet si një sinjal se Apple synon të rikthejë theksin tek inovacioni. Gjatë drejtimit të Cook, kompania arriti stabilitet të jashtëzakonshëm financiar dhe zgjerim global, por u kritikua shpesh për mungesë risish të mëdha në produkte.
Analistët theksojnë se Apple mbetet ende shumë e varur nga iPhone si burim kryesor i të ardhurave dhe është në kërkim të motorit të radhës të rritjes. Në këtë kontekst, Ternus pritet të shmangë qasjen konservatore dhe të shtyjë përpara zhvillimin e produkteve të reja, si telefonët e palosshëm dhe pajisjet e veshshme.

Kompania është përballur gjithashtu me kritika për ritmin e ngadaltë në adoptimin e inteligjencës artificiale, duke integruar teknologji nga kompani si Google dhe OpenAI në sistemet e saj. Ndryshe nga Steve Jobs, i njohur për vizionin dhe inovacionin, Cook kishte një sfond në operacione dhe menaxhim biznesi, me eksperiencë në kompani si IBM dhe Compaq. Megjithatë, ai do të mbahet mend si një nga drejtuesit më të suksesshëm në historinë e biznesit.
