Një 50-vjeçar është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij, gjatë një operacioni të SPAK, Policisë së Shtetit, RENEA-s dhe BKH-së.
Operacioni, i koduar “Muri i Lartë”, u zhvillua në Shkodër në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion. Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet B. C., i cili konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Në kuadër të të njëjtit operacion, policia kontrolloi edhe banesat dhe ambientet që lidhen me një tjetër person të shpallur në kërkim, E. D., alias I. D., 43 vjeç.
Ai është në kërkim që prej vitit 2024 dhe ndaj tij GJKKO ka caktuar gjithashtu masën “Arrest me burg” për akuza të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike dhe grupin e strukturuar kriminal. Gjatë kontrolleve në Shkodër, 43-vjeçari nga Kukësi nuk u gjet në banesë.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Në operacion morën pjesë Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale, strukturat për hetimin e narkotikëve, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK.
