Një aksident tragjik është shënuar mesditën e sotme në Durrës, ku një automjet ka përplasur tre fëmijë të mitur që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa i treti është në gjendje të rëndë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:20 në lagjen nr. 15, në zonën e njohur si ish-Këneta në Durrës. Sipas të dhënave zyrtare, një automjet i drejtuar nga një 57-vjeçar ka dalë nga rruga dhe është ngjitur në trotuar, ku tre fëmijë rreth 10 vjeç po luanin.
Përplasja ka rezultuar fatale për dy prej të miturve, të cilët humbën jetën në vend, ndërsa fëmija i tretë është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, në gjendje të rëndë për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës, automjeti lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin e aksidentit. Ata shprehen të tronditur nga ngjarja dhe kërkojnë masa më të forta për sigurinë rrugore në zonë, duke theksuar se raste të tilla të shkeljes së shpejtësisë janë të shpeshta.
Tragjedia ka prekur thellë komunitetin lokal, ndërsa mësohet se fëmijët ishin nga i njëjti rreth familjar.
