Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Denada Seferi, prezantoi sot në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10093, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile’”.
Gjatë prezantimit, Seferi theksoi se projektligji synon forcimin e funksionimit institucional të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), përmirësimin e qeverisjes së saj dhe rritjen e efikasitetit në mbështetje të organizatave të shoqërisë civile.
Ajo u shpreh se shoqëria civile është një nga partnerët më të rëndësishëm të institucioneve publike në hartimin dhe zbatimin e politikave publike, ndaj është e domosdoshme që institucioni përgjegjës për mbështetjen e saj të ketë një kuadër ligjor të qartë, funksional dhe në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë.
Sipas Seferit, ndryshimet e propozuara janë hartuar në përputhje me rekomandimet e raportit SIGMA 2025, të cilat synojnë forcimin e qeverisjes institucionale, rritjen e efikasitetit administrativ, qartësimin e përgjegjësive institucionale dhe përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional.
Projektligji parashikon qartësimin e procedurave të funksionimit të Agjencisë dhe të Bordit Mbikëqyrës, harmonizimin e dispozitave me legjislacionin për nëpunësin civil, përcaktimin më të qartë të kompetencave për administrimin e personelit, si dhe forcimin e rolit të Bordit Mbikëqyrës në procesin e vendimmarrjes, përfshirë miratimin e dhënies së granteve.
Një tjetër risi e projektligjit është garantimi i një procedure të qartë ankimi për vendimet mbi grantet, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
Seferi sqaroi se projektligji nuk ndryshon misionin dhe funksionet e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, por synon të përmirësojë organizimin dhe funksionimin e saj, duke qartësuar kompetencat dhe procedurat e vendimmarrjes.
Zëvendësministrja theksoi gjithashtu se projektligji nuk sjell efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit dhe se zbatimi i tij do të realizohet brenda burimeve buxhetore ekzistuese.
Sipas saj, ndryshimet do të kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe të qeverisjes së Agjencisë, si edhe në një mbështetje më cilësore për organizatat e shoqërisë civile.
