Policia e Durrësit goditi një rast të magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike të kontrabanduara.
Policia njoftoi se arrestoi në flagrancë shtetasin R. C., 18 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se shiste në dyqan dhe online, fishekzjarrë dhe kapsolla të dyshuara të kontrabanduara, të cilat i magazinonte në banesë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. D., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi është kapur afër banesës së shtetasit R. C., duke transportuar me automjet, fishekzjarrë dhe kapsolla që i kishte marrë nga kjo banesë, me qëllim për t’i fshehur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan qindra fishekzjarrë dhe kapsollë, të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, dhe 2 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
