📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

✕
🌙 Dark
⚫ Contrast
🔄 Invert
⚪ Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
Untitled 25

Shkarkohet gjenerali i lartë i Pentagonit për rrjedhjen e informacioneve sekrete mbi Ukrainën dhe Iranin, e tradhtoi testi i poligrafit

Gjenerali amerikan Brett Sylvia ka pranuar se ka nxjerrë informacione të klasifikuara mbi Ukrainën dhe Iranin te dy gazetarë të mediave të ndryshme, përgjatë një periudhe prej rreth një viti.

Sipas një raporti të brendshëm hetimor, të cilit i referohet Axios, zyrtari i lartë ushtarak ka pranuar rrjedhjen e informacionit pasi kishte dështuar në katër teste me detektor gënjeshtre.

Sylvia, i cili mbante një nga pozicionet më të rëndësishme të planifikimit ushtarak në Pentagon, u shkarkua pak ditë më parë nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Raporti i brendshëm thekson se gjenerali hasi vështirësi në disa teste të përsëritura me poligraf, ndërsa akuzohet për zbulim të paautorizuar të informacioneve për mediat. Megjithatë, ai bashkëpunoi me hetuesit, duke iu përgjigjur pyetjeve për kontaktet me gazetarët dhe duke dorëzuar telefonin e tij personal për ekspertizë dixhitale.

Rrjedhja e informacioneve përmes Signal dhe takimi në restorant

Sipas raportit dhe zyrtarëve amerikanë, rrjedhja e informacioneve dyshohet se ka nisur që në qershor të vitit 2025, përpara se Pentagoni të vendoste kufizime për aksesin e mediave të mëdha në institucion.

Kontaktet me gazetarët vijuan edhe pas vendosjes së këtyre kufizimeve, si përmes aplikacionit të komunikimit të enkriptuar Signal, ashtu edhe përmes një takimi personal në një restorant në Arlington të Virxhinias.

Sipas raportit, takimi u zhvillua pasi gazetarit në fjalë i ishte hequr akreditimi që i mundësonte hyrjen në Pentagon.

Gjatë takimit, Sylvia dyshohet se përdori shënime që kishte mbajtur gjatë shqyrtimit të një raporti të klasifikuar, për t’i përcjellë gojarisht gazetarit informacione lidhur me ndihmën amerikane për Ukrainën.

Sipas hetuesve, gazetari po punonte për shkrimin e një libri dhe kishte zhvilluar dy takime me gjeneralin.

Raporti thekson gjithashtu se Sylvia nuk i kishte koordinuar këto takime me Zyrën e Çështjeve Publike të Pentagonit dhe nuk kishte kërkuar verifikimin e informacionit përpara se t’ia përcillte gazetarit.

Dyshimet se fshiu qëllimisht mesazhet për Iranin

Një pjesë e veçantë e hetimit i kushtohet komunikimeve të gjeneralit përmes aplikacionit Signal. Zyrtarët amerikanë dyshojnë se ai mund të ketë fshirë qëllimisht gjurmët e kontakteve me njërin prej gazetarëve, duke e paraqitur veprimin si një gabim të paqëllimshëm.

Sipas raportit, diku mes muajve qershor dhe korrik, Sylvia kishte marrë mesazhe në aplikacion nga një gazetar, identiteti i të cilit nuk bëhet publik.

Gjenerali u tha hetuesve se nuk e mbante mend përmbajtjen e saktë të komunikimit, por vlerësonte se ai lidhej me Iranin.

Ai pretendoi se nuk iu përgjigj mesazhit dhe vendosi ta fshinte. Megjithatë, gjatë këtij procesi, sipas tij, fshiu gabimisht të gjithë bisedën me gazetarin. Si pasojë, nga telefoni i tij personal u zhdukën jo vetëm mesazhet, por edhe regjistrat e telefonatave të kryera përmes Signal.

Në një rast tjetër, gjenerali pranoi se ishte njëri prej 20 zyrtarëve që kishin shërbyer si burime për një artikull kritik ndaj drejtuesve të Pentagonit.

Përplasjet për deklaratën në mbështetje të gjeneralit

Çështja shkaktoi gjithashtu përplasje të brendshme lidhur me mënyrën se si u menaxhua shkarkimi i Sylvia-s.

Një tjetër zyrtar amerikan i tha Axios se ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ushtrisë, Adam Telle, dhe zyra e tij kishin ushtruar presion mbi Shtabin e Përbashkët të Forcave të Armatosura amerikane për të publikuar një deklaratë në mbështetje të gjeneralit.

Sipas të njëjtit burim, qëllimi ishte të kufizohej dëmi nga zbulimet e mundshme të ardhshme mbi arsyet e vërteta të shkarkimit të tij.

Megjithatë, pasi një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes informoi Shtabin për arsyet reale të largimit të gjeneralit, deklarata u tërhoq.

Ndërkohë një zyrtar i ushtrisë amerikane i mohoi kategorikisht pretendimet se zyra e Telle kishte kërkuar publikimin e një deklarate në favor të Sylvia-s.

“Ky është episodi i fundit i një fushate të koordinuar gënjeshtrash, që synon të shkaktojë kaos”, deklaroi ai, duke shtuar se Telle dhe zyra e tij nuk kishin mbështetur publikimin e asnjë deklarate lidhur me gjeneralin. Sipas tij, i gjithë ky pretendim ishte i pavërtetë.

Fushata e Hegseth kundër rrjedhjes së informacioneve

Shkarkimi i Sylvia-s është episodi më i fundit në përpjekjet e drejtuesve të Pentagonit, nën udhëheqjen e Pete Hegseth, për të frenuar rrjedhjen e informacioneve drejt mediave.

Në korrik, Departamenti i Mbrojtjes njoftoi krijimin e një grupi të përbashkët pune me Departamentin e Drejtësisë, me synimin për të identifikuar personat që nxjerrin informacione nga Pentagoni.

Gjithashtu, Shërbimit Ligjor të Departamentit të Mbrojtjes iu kërkua t’i jepte përparësi ndjekjes penale të personave që bëjnë publike pa autorizim informacione për mediat.

Që prej vitit të kaluar, disa gazetarë që mbulojnë çështjet e mbrojtjes, si dhe përfaqësues të organizatave mediatike, kishin dorëzuar akreditimet e tyre në shenjë proteste ndaj kufizimeve të ashpra të vendosura nga Pentagoni për aksesin dhe mbulimin e lajmeve nga ky institucion.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights