Në Francë, qindra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në tubime anembanë vendit; nxënës të shkollave të mesme, anëtarë të sindikatave, protestues të lëvizjes së “jelekëve të verdhë” dhe të tjerë kanë dalë në sheshe për të katërtën fundjavë radhazi, duke kërkuar më shumë fonde qeveritare për shkollat, si dhe masa për të ndihmuar në çështjet e strehimit dhe përballimin e kostos së jetesës, shkruan The Guardian.
Në përpjekje për të shmangur plaçkitjet dhe dëmtimet e pronave të cilat ndodhën në margjinat e disa protestave fundjavën e kaluar autoritetet franceze kanë shtrënguar kufizimet lidhur me vendet ku mund të marshojnë protestuesit dhe grupet që janë “të autorizuara” për ta bërë këtë.
Ato kanë rritur praninë policore me 20%, duke angazhuar 70,000 policë dhe ushtarë në rrugë, përfshirë njësi elitare, si dhe oficerë në trajnim.
Shumë stacione të metrosë në Paris, si dhe muzeume e vende të rëndësishme turistike, janë mbyllur sot, ndërsa në mbarë vendin, dyqaneve dhe bizneseve u është kërkuar t’i mbyllin dyert.
Tensionet në shoqëri janë gjithashtu të larta pas një të shtëne vdekjeprurëse të ndodhur të premten në perëndim të Parisit, ku autori vuri në shënjestër persona me ngjyrë, duke vrarë një person dhe duke plagosur pesë të tjerë, përfshirë një fëmijë. Presidenti francez e cilësoi ngjarjen si një “sulm terrorist racist”.
Ndërkohë, partia kundër imigracionit e Marine Le Pen pritet të mbajë konferencën e saj kombëtare në qytetin e Orléans-it, në Francën qendrore. Takimi i partisë së ekstremit të djathtë, “Tubimi Kombëtar” (Rassemblement National), pritet të tërheqë deri në 30,000 kundër-protestues.
Ndërkohë në Itali, Policia ka kryer kontrolle në 150 banesa në Milano dhe qytete të tjera, ndërsa vendi bëhet gati për protesta të reja të shtunën pasdite.
Kontrollet u zhvilluan në banesat e personave mes të cilëve edhe 51 të mitur të cilët dyshohet se kishin ndërmend të shkaktonin trazira gjatë demonstratave.
Këto tubime, të organizuara nga “Lëvizja e 17 Tetorit” dhe të planifikuara për t’u zhvilluar në Milano, Torino, Romë, Bolonjë, Napoli e qytete të tjera, prekin çështje të ndryshme: nga kostoja e lartë e jetesës dhe financimi i pamjaftueshëm i shkollave, e deri te mbështetja për Palestinën.
Ato vijnë pas protestave të fundjavës së kaluar, të cilat degjeneruan në dhunë veçanërisht në Milano, ku të rinj të maskuar shkatërruan dhe plaçkitën dyqane në qendër të qytetit.
Shumë dyqane në Milano, Napoli dhe qytete të tjera i kanë mbuluar vitrinat me pllaka druri, nga frika se të shtunën mund të ketë sërish dhunë.
