Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasen E. R., e akuzuar për vrasjen e babait të saj, Anesti Rama. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në korrik të vitit 2025 në banesën e familjes në fshatin Frashër.
Për gjykim është çuar dhe mamaja e saj e akuzuar për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.
E. R., ka vrarë babain e saj, duke i shtrënguar qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme. Bashkëpunëtore në krim është bërë dhe e ëma e të akuzuarës, e cila ka pastruar vendin e ngjarjes me qëllim fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.
“Nga analiza e deklarimeve të administruara, rezultateve të ekspertimit mjeko-ligjor, këqyrjes së vendit të ngjarjes, sendeve të sekuestruara dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Pëtgjithshëm Fier arriti në përfundimin se shtetasja E.R. ka kryer veprimet që kanë sjellë vdekjen e babait të saj, ndërsa shtetasja V.R. ka kryer veprimet e mësipërme me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Pas vrasjes, nënë e bijë e denoncuan ngjarjen në polici si aksidentale. Fillimisht ata pretenduan se Anesti Rama ishte rrëzuar në tualet e si pasojë e dëmtimeve të marra, kishte ndërruar jetë. Por ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e viktimës provoi të kundërtën dhe u zbulua se 56-vjeçari ishte mbytur me tel.
Më pas, E.R., pranoi përpara hetuesve autorësinë e krimit duke thënë se i ati ishte shumë fanatik dhe i ushtronte presion. Kjo marrëdhënie mësohet se mbizotëronte prej vitesh në familjen Rama, fakt ky që është pohuar edhe nga fqinjë e të afërm të viktimës, aq sa viktima jetonte në një ambient të veçuar të shtëpisë.
