Një 67-vjeçar nga Shkodra, i dënuar me 26 vite burg për vepra penale ndaj të miturve, është ekstraduar nga Brazili drejt vendit tonë.
Policia njoftoi sot, më 5 tetor, se ekstradimi i A.L u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve braziliane. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndaj tij kishte një vendim të formës së prerë për “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Ngacmimi seksual”.
Sipas autoriteteve, gjatë viteve 2020-2021, ai ka kryer veprime seksuale ndaj dy të miturave, 10 dhe 15 vjeçe.
Pas mbërritjes në Shqipëri, Policia e Shkodrës ka ekzekutuar vendimin gjyqësor për vuajtjen e dënimit.
Njoftimi i policisë
Interpol Tirana/Vijon bashkëpunimi intensiv me homologët, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.
Ekstradohet nga Brazili, 1 shtetas i dënuar me 26 vjet burgim për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Ngacmimi seksual”.
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe homologëve në Brazil, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Brazili në Shqipëri, të shtetasit Artef Lekaj, 67 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër e ka dënuar me 26 vjet burgim, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Ngacmimi seksual”, vendim i cili ka marrë formë të prerë nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Gjatë periudhës 2020-2021, shtetasi A. L. ka ngacmuar seksualisht një të mitur 10-vjeçare dhe ka abuzuar seksualisht me një tjetër të mitur, 15-vjeçare.
Pas ekstradimit nga Brazili, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ekzekutuan vendimin penal të Gjykatës së Apelit.
