Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e sigurisë në institucionet arsimore me nisjen e vitit të ri shkollor, duke përfshirë sigurinë fizike, rrugore, ushqimore dhe kibernetike të nxënësve.
Në konferencën për shtyp me gazetarët, Drejtuesi Madhor Skënder Hita, tha se pas analizimit të problematikave të viteve të kaluara dhe koordinimit me ministrinë e Arsimit, strukturave policore u janë përcaktuar detyra konkrete për garantimin e një mjedisi të sigurt për zhvillimin e procesit mësimor.
Sipas Hitës, shefat e komisariateve do të jenë në krye të shërbimeve të angazhuara për sigurinë në shkolla, me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin, koordinimin dhe kontrollin e tyre.
Hita bëri të ditur se specialistët e sektorëve kundër narkotikëve dhe strukturave operacionale në 12 drejtoritë vendore do të zhvillojnë kontrolle me intensitet të lartë brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, me fokus identifikimin dhe ndalimin e elementëve kriminalë që synojnë t’u afrohen institucioneve arsimore apo të përfshijnë nxënësit në veprimtari kriminale.
“Do të kemi kontrolle me intensitet të lartë si brenda, ashtu edhe jashtë perimetrit të sigurisë, me fokus identifikimin dhe ndalimin me forcën e ligjit të çdo elementi kriminal që tenton t’u afrohet institucioneve arsimore”, deklaroi Hita.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe sigurisë rrugore pranë shkollave. Hita pohoi se do të ketë prani të shtuar të shërbimeve gjatë lëvizjes së nxënësve në fillim dhe përfundim të procesit mësimor, si dhe gjatë pushimit të gjatë.
Në kuadër të masave parandaluese, strukturat e policimit në komunitet, kundër dhunës në familje, krimeve kibernetike dhe Policisë Rrugore do të zhvillojnë orë ndërgjegjësuese në shkolla. Tematikat do të përfshijnë bullizmin, dhunën psikologjike, rreziqet në hapësirën digjitale, sigurinë rrugore, si dhe përdorimin e lëndëve narkotike, alkoolit dhe duhanit.
Pjesë e paketës së sigurisë është edhe bashkëpunimi me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për kontrollin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet pranë shkollave. Kontrollet do të synojnë verifikimin e kushteve të aktivitetit, përbërjes dhe afatit të përdorimit të produkteve ushqimore, si dhe kushteve higjieno-sanitare të ruajtjes dhe tregtimit.
Hita theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit, psikologët, drejtuesit e institucioneve arsimore, bordet e prindërve dhe qeveritë e nxënësve, si pika të rëndësishme kontakti për evidentimin dhe trajtimin në kohë të problematikave.
Një risi e këtij viti është përdorimi më i gjerë i teknologjisë në funksion të sigurisë. Në kuadër të projektit “Smart City”, në 20 shkollat e para janë vendosur kamera inteligjente, të cilat, sipas Policisë së Shtetit, do të rrisin kapacitetet për monitorimin dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë.
“Teknologjia nuk zëvendëson punonjësin e policisë, ajo e bën më të shpejtë, më efikas dhe më të saktë punën e tij në terren”, u shpreh Hita.
Në fund të fjalës së tij, Hita iu drejtua nxënësve me thirrjen që të raportojnë te mësuesit, prindërit, oficerët e sigurisë apo Policia e Shtetit çdo rast dhune, kërcënimi, bullizmi, shpërndarjeje të lëndëve narkotike apo përfshirjeje të bashkëmoshatarëve në veprimtari kriminale.
“Ky është angazhimi ynë: shkolla të sigurta për të ardhmen e vendit”, përfundoi Hita.
