Bashkitë Cërrik dhe Maliq kanë nisur procedurat e konsultimit publik me qytetarët lidhur me hartën e re territoriale që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Bashkia Cërrik bëri të ditur se procesi i konsultimit nisi pas mbërritjes së shkresës nga Kuvendi, për periudhën 60-ditore të konsultimit publik për projektligjin e reformës administrativo-territoriale.
Në një njoftim publik, bashkia Cërrik u bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në konsultime dhe të shprehin mendimet e tyre mbi projektligjin, duke theksuar se procesi nuk lidhet me fatin e drejtuesve vendorë, por me të ardhmen e komunitetit dhe cilësinë e shërbimeve që do të ofrohen.
Sipas bashkisë, konsultimet synojnë t’u japin përgjigje pyetjeve që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet, përfaqësimin në vendimmarrje, ndarjen e fondeve publike dhe kompetencat e njësive vendore në rast të ndryshimeve të hartës administrative.
Ndërkohë, edhe Këshilli Bashkiak Maliq ka shpallur kalendarin e konsultimeve publike për projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, ku, sipas propozimit, bashkia Maliq parashikohet të bashkohet me bashkinë Korçë.
Takimet konsultuese do të zhvillohen nga data 13 deri më 19 gusht në njësitë administrative Libonik, Pojan, Pirg, Vreshtas, Gorë dhe Moglicë, si edhe në qytetin e Maliqit.
Këshilli Bashkiak Maliq ftoi qytetarët, institucionet, bizneset dhe grupet e interesit të marrin pjesë në proces, duke paraqitur mendimet dhe sugjerimet e tyre për të garantuar një vendimmarrje sa më transparente dhe gjithëpërfshirëse.
