Një tragjedi e mundshme është parandaluar në Shkodër, pasi një 41-vjeçar tentoi të hakmerrej ndaj personit që dyshohet se kishte plagosur me thikë vëllanë e tij.
Ai u kap nga policia me një pistoletë me fishek në fole, teksa ishte nisur për të gjetur autorin e dyshuar të ngjarjes.
Ngjarja nisi në ambientet e një poliklinike në lagjen “Vasil Shanto”, ku një 18-vjeçar dyshohet se plagosi me thikë një 32-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta. Pas marrjes së informacionit për plagosjen e vëllait, 41-vjeçari mori armën dhe u nis për hakmarrje, por ndërhyrja në kohë e policisë shmangu përshkallëzimin e konfliktit.
Njoftimi
Sigurimi i informacionit në kohë dhe reagimi i menjëhershëm e profesional i shërbimeve të Policisë parandaluan një ngjarje të rëndë kriminale.
Pasi mori dijeni për plagosjen me thikë të vëllait të tij, 41-vjeçari mori një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe u nis për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, 41-vjeçari tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit, por u kap dhe u vu në pranga.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë, me municion luftarak.
Rreth orës 11:30, në ambientet e brendshme të poliklinikës, në lagjen “Vasil Shanto”, dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. F., 18 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin Vildan Kepeca, 32 vjeç, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes. Gjatë rrugës, ato kanë marrë informacion se vëllai i të plagosurit, shtetasi A. K., 41 vjeç, pasi kishte marrë dijeni për ngjarjen, kishte marrë një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe ishte nisur në këmbë për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes së vëllait të tij.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke marrë masat e nevojshme të sigurisë, dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Arben Kepeca, 41 vjeç, i cili gjatë ndërhyrjes tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit që mbante me vete.
Shërbimet e Policisë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit A. F.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.