Ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, Petrit Malaj, prezantoi këtë të mërkurë, 15 korrik, vendimet e marra në këtë sektor nga mbledhja e sotme e qeverisë.
Malaj sqaroi se janë propozuar ndryshime në ligjin e sistemit të pagesave, si qëllim për modernizimin e sistemit aktual financiar në vendin tonë, por dhe të përafrimit me standardet evropiane.
“Kemi propozuar ndryshime për ligjin e sistemit të pagesave. Kemi propozuar ndryshime për ligjin e shërbimeve të pagesave, si dhe disa ndryshime për ligjin e bankave në Republikën e Shqipërisë. Këto ndryshime, të cilat ne i kemi propozuar, kanë si qëllim jo vetëm modernizimin e sistemit aktual financiar në vend, por janë edhe në funksion të përafrimit të të gjithë kuadrit tonë ligjor dhe harmonizimit të plotë të tij me direktivat e Bashkimit Evropian“, u shpreh ai.
Më tej, ministri shtoi se këto ndryshimet e propoziara, do të sjellin benefite për qytetarët dhe për bizneset, përfshirë reduktimin e kostrove për transaksionet financiare. Gjithashtu, ai premtoi mbrojtje më të mirë të konsumatorëve dhe rritje të sigurisë të sistemit financiar të vendit tonë.
“Gjithashtu, këto ndryshime janë në funksion edhe të kuadrit të negociatave që janë në kuadër të kapitullit 4 dhe që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit. Ndër ndryshimet e propozuara ka, natyrisht, edhe benefite për qytetarët dhe bizneset në Shqipëri. Ndër to, mund të përmend se do të kemi një reduktim të kostove për sa i përket transaksioneve financiare. Do të ketë një mbrojtje më të mirë të konsumatorëve. Do të kemi një rritje të sigurisë së sistemit tonë financiar, si dhe, natyrisht, nga ana tjetër, do të nxitet konkurrenca dhe efikasiteti në këtë treg. Padiskutim që këto ndryshime jo vetëm përmirësojnë sistemin aktual financiar të Shqipërisë, por diktojnë, natyrisht, edhe ecurinë ekonomike të vendit, pasi një sistem financiar i shëndoshë dikton edhe një ekonomi të shëndoshë”, u shpreh ai.
Shqipëria “cashless”
Që prej tetorit të vitit të kaluar, Shqipëria u bë pjesë e sistemit SEPA, një hap historik ky për modernizimin e pagesave ndërkufitare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, futja në SEPA nxiti përdorimin e kanaleve digjitale dhe uljen e përdorimit të cash-it në ekonomi, duke forcuar formalizimin dhe transparencën financiare.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se pagesat elektronike janë rritur ndjeshëm viteve të fundit, ndërsa numri i kartave bankare ka arritur në 1.5 milionë.
“Objektivi i radhës është sistemi i pagesave të menjëhershme, i disponueshëm 24 orë në ditë”, tha Sejko në forumin Cashless Albania 2030, në qershor të këtij viti.
Megjithatë, përdorimi i parasë fizike mbetet i lartë në bizneset e vogla dhe në zonat ku shërbimet financiare janë më pak të zhvilluara.
