📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
WhatsApp Image 2026 07 08 at 13.21.26

Një ide e lindur nga nevoja, një teknologji e re apo një mënyrë ndryshe për të prodhuar. Në ekonominë moderne, inovacioni nuk është më luks, por kusht për të qenë konkurrues. Edhe në Shqipëri, gjithnjë e më shumë sipërmarrës po dëshmojnë se me mbështetjen e duhur, një startup mund të kthehet në një biznes të qëndrueshëm, të krijojë vende pune dhe të konkurrojë në tregjet ndërkombëtare.

Pas këtyre historive të suksesit qëndron mbështetja e Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Suedisë, të cilat përmes programit EU4Innovation dhe skemës Challenge Fund po financojnë dhe shoqërojnë startup-et shqiptare drejt rritjes. Deri më sot janë mbështetur dhjetëra sipërmarrje inovative, ndërsa 11,750,000 Euro janë investuar për zhvillimin e ekosistemit të inovacionit në tërësi.

Nga një furrë artizanale që prodhon bukë pa gluten dhe pa laktozë, tek një fermë që përdor teknologji moderne për përpunimin e bimëve medicinale apo një model prodhimi tërësisht organik. Këto janë disa nga historitë që tregojnë se inovacioni po gjen gjithnjë e më shumë vend në ekonominë shqiptare.

Gjatë një vizite në terren, Erik Illes, Shef i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Shqipëri, dhe Jenni Lundmark, Menaxhere Programi për Zhvillimin e Sektorit Privat dhe Barazinë Gjinore në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri bashkë me përfaqësues të medias u njohën nga afër me tre startup-e të mbështetura nga Challenge Fund, të cilat po sjellin produkte dhe procese të reja në sektorin e ushqimit dhe bujqësisë së qëndrueshme.

Ndalesa e parë ishte Panja, furra e parë në Shqipëri që ofron produkte 100 për qind pa gluten dhe pa laktozë. Një sipërmarrje që lindi nga një përvojë personale dhe sot po i përgjigjet kërkesës në rritje për ushqim më të shëndetshëm.

Themeluesja e saj, Marsela Gurra, tregon se ideja lindi pasi përfitoi vetë nga një regjim ushqimor pa gluten dhe pa laktozë.

“Panja ka nisur në vitin 2023. Koncepti lindi nga mungesa në tregun shqiptar e produkteve artizanale pa gluten dhe pa laktozë. Ne prodhojmë produkte organike dhe falë mbështetjes së partnerëve europianë kemi investuar në pajisje moderne që kanë ulur kohën e prodhimit dhe na kanë mundësuar të krijojmë produkte me standarde europiane”, tha Gurra.

Mbështetja nuk ka sjellë vetëm pajisje të reja, por ka krijuar mundësi që bizneset të investojnë në cilësi, produktivitet dhe zgjerim të tregut.

Një tjetër histori është Artizani Bakery, furra e parë në vend që kontrollon të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga kultivimi organik i grurit deri tek buka e gatshme, duke ofruar një model të qëndrueshëm dhe me ndikim minimal në mjedis.

Sipërmarrësi Nikolin Kola thekson se investimi në inovacion është bërë një domosdoshmëri.

“Pandemia më bëri të kuptoj sa të brishta ishin sistemet ushqimore. Vendosa të investoj në prodhimin e bukës dhe falë pajisjeve me teknologji europiane puna është bërë më efikase, ndërsa produktet tona janë më konkurruese,” tha ai.

Ndërsa startup-i Happy Farmers, në Malësinë e Madhe, ka investuar në një furrë tharjeje për bimët medicinale, duke rritur cilësinë dhe duke ulur kostot për fermerët.

Fermeri Ervin Çeraj thotë se teknologjia ka ndryshuar mënyrën e punës.

“Kemi kaluar testet e cilësisë dhe të sigurisë për sherebelën dhe vajrat esencialë. Kemi kontrata të vazhdueshme dhe partnerët na njohin për cilësinë. Kjo teknologji na ka krijuar mundësi të reja për treg”, u shpreh Çeraj.

Përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë e konsiderojnë këtë një dëshmi se mbështetja për startup-et po jep rezultat.

Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Shqipëri, Erik Illes, tha se programi ka prodhuar histori konkrete suksesi.

“Përmes sfidës së inovacionit Challenge Fund janë mbështetur 55 kompani startup. Kjo është pikërisht ajo që duam të shohim dhe është një dëshmi e qartë e suksesit të këtij program.” tha ai.

Jenni Lundmark, Menaxhere e Programit për Zhvillimin e Sektorit Privat dhe Barazinë Gjinore në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, theksoi se Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar për të mbështetur inovacionin dhe sipërmarrjen në Shqipëri, duke nxitur zhvillimin e ideve të reja, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe krijimin e mundësive për të rinjtë dhe startup-et.

Shifrat tregojnë se bizneset shqiptare po i drejtohen gjithnjë e më shumë inovacionit. Sipas INSTAT, 44.3% e ndërmarrjeve me 10 ose më shumë të punësuar kanë zhvilluar aktivitete inovacioni gjatë periudhës 2022-2024. Megjithëse kompanitë e mëdha mbeten më aktive, tendenca po përhapet edhe tek startup-et dhe sektorët tradicionalë si bujqësia.

Challenge Fund, një komponent kyç i EU4Innovation, i menaxhuar nga Amabasada Suedeze në Shqipëri në bashkëpunim me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, ka organizuar tre thirrje për aplikime gjatë viteve 2023–2025. Janë vlerësuar 637 aplikime në 22 sektorë, nga teknologjia e informacionit dhe turizmi, te ekonomia qarkulluese, tekstilet, shëndetësia dhe bujqësia e qëndrueshme.

Nga ky proces janë mbështetur 55 startup-e nga qytete të ndryshme të vendit me një fond prej afro 1 milion Euro, ndërsa financimi është shoqëruar edhe me mentorim, asistencë teknike dhe mbështetje për zhvillimin e biznesit.

Në një ekonomi ku konkurrenca po rritet dhe integrimi në tregun europian kërkon standarde gjithnjë e më të larta, inovacioni po shndërrohet në një nga motorrët kryesorë të zhvillimit.

Për Bashkimin Evropian, Gjermaninë dhe Suedinë, investimi tek startup-et nuk është vetëm mbështetje për një ide biznesi. Është investim në ekonomi, në vende të reja pune, në rritjen e produktivitetit dhe në krijimin e një ekonomie shqiptare më të orientuar drejt dijes.

 

Sepse kur një ide inovative kthehet në një produkt me standarde europiane, përfiton jo vetëm sipërmarrësi, por e gjithë ekonomia.

 

EU4Innovation, 11,750,000 Euro për forcimin e ekosistemit të startup-eve dhe inovacionit në Shqipëri

Bashkimi Evropian, së bashku me Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), nëpërmjet programit EU4Innovation, kanë mbështetur financiarisht iniciativa për inovacionin në Shqipëri me 11,750,000 Euro, në funksion të forcimit të ekosistemit të startup-eve dhe afrimit të bizneseve me standardet evropiane, synon të nxisë inovacionin dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm përmes mbështetjes së sipërmarrjeve të reja dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.

Ky program është pjesë e qasjes së “Ekipi Evropa”, ku BE, Gjermania dhe Suedia bashkëpunojnë me Qeverinë e Shqipërisë për të zhvilluar një ekonomi të bazuar në inovacion dhe njohuri.

Sipas partnerëve zbatues, ekosistemi i startup-eve konsiderohet një shtytës i rëndësishëm i rritjes ekonomike dhe i krijimit të vendeve të punës me pagesë të lartë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë së vendit.

Programi EU4Innovation, i zbatuar nga GIZ Shqipëri dhe Ambasada Suedeze në Shqipëri, përmes skemës “Challenge Fund”, ofron grante dhe asistencë teknike për startup-et shqiptare me potencial zhvillimi në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.

Me nje fond total prej prej 1 milion Euro, “Challenge Fund” ka mbështetur startup-e në tre faza zhvillimi: nga faza e idesë dhe validimit, deri te zgjerimi i biznesit, me grante që variojnë nga 10 mijë deri në 30 mijë Euro, në varësi të nivelit të zhvillimit dhe bashkëfinancimit të kërkuar.

Në total, skema ka pranuar dhe vlerësuar 637 aplikime nga 43 qytete të Shqipërisë, në 22 sektorë të ndryshëm, përfshirë teknologjinë, turizmin, bujqësinë e qëndrueshme, shëndetësinë dhe ekonominë qarkulluese.

Sa i përket përfaqësimit gjinor, rreth 47.3% e aplikimeve janë udhëhequr nga gra dhe 52.4% nga burra, duke reflektuar rritjen e pjesëmarrjes së grave në sipërmarrje.

Procesi i vlerësimit ka përfunduar me përzgjedhjen e 55 startup-eve nga qytete të ndryshme të vendit.

Projekti EU4Innovation, i cili zgjat nga janari 2023 deri në dhjetor 2026, synon rritjen e pjekurisë dhe ekspozimit të ekosistemit shqiptar të inovacionit, duke kontribuar në transformimin e ekonomisë drejt modeleve të bazuara në dije dhe inovacion.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights