Në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale u shqyrtua sot projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”.
Gjatë raportimit në komision, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, bëri një bilanc të punës së institucionit përgjatë vitit 2025, duke theksuar se KLP ka vijuar ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore, me fokus në zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit europian.
Sipas Bogdanit, gjatë vitit 2025, KLP ka miratuar 384 vendime dhe ka vijuar procesin e plotësimit të vakancave në sistemin e prokurorisë. Në këtë kuadër janë emëruar 26 magjistratë të rinj të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, janë zhvilluar 24 procedura të lëvizjes paralele dhe janë emëruar me mandat të rregullt tre drejtues prokurorish.
“Gjatë vitit 2025, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vijuar ushtrimin e të gjitha kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore. Veprimtaria e institucionit është fokusuar gjithashtu në përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit dhe detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit europian. KLP për 2025 ka miratuar 384 vendime. KLP-ja ka vijuar procesin e plotësimit të vakancave në sistem dhe për këtë qëllim në vitin 2025 janë emëruar 26 magjistratë të rinj që kanë dalë nga shkolla e Magjistraturës, janë zhvilluar 24 procedura të lëvizjes paralele dhe janë emëruar me mandat të rregullt tre drejtues prokurorie”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se është përfunduar procedura për zgjedhjen e drejtuesit të SPAK, si edhe është realizuar emërimi i drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në fushën e vlerësimit profesional, Bogdani theksoi se gjatë vitit 2025 janë përfunduar 40 vlerësime etike dhe profesionale, krahasuar me vetëm 9 të tilla në vitin 2024, duke e cilësuar këtë si një rritje të ndjeshme të performancës dhe një tregues të angazhimit për forcimin e meritokracisë dhe llogaridhënies në sistem.
“Gjatë vitit 2025 kanë përfunduar 40 vlerësime etike dhe profesionale krahasuar me 9 vlerësime në vitin 2024 që ishte dhe viti që shënoi fillimin e procesit të vlerësimit. Këto 40 vlerësime kanë reflektuar një rritje të ndjeshme të performancës së institucionit dhe të angazhimit për forcimin e meritokracisë dhe llogaridhënies në sistem”, tha Bogdani.
Bogdani ngriti edhe shqetësimin për mungesën e fondeve për digjitalizimin e institucionit. Sipas saj, rritja e numrit të vendimeve dhe akteve që trajtohen nga Këshilli e bën të domosdoshëm krijimin e një sistemi të brendshëm elektronik për regjistrimin, ndjekjen dhe publikimin online të tyre, por edhe gjatë këtij viti nuk është miratuar fond për këtë proces.
“Siç jeni në dijeni është shtuar numri i vendimeve me të cilat këshilli duhet të ndërveprojë, lind e nevojshme të kemi një sistem të brendshëm që të mundësoj regjistrimin e të gjitha akteve hyrëse, mënyrës si ato kalojnë në të gjitha hallkat e institucionit, deri në publikimin e tyre online. Adresimi me nevoja buxhetore ndoshta dhe këtë vit nuk ka qenë i mundur dhe nuk kemi të miratuar ende asnjë fond për digjitalizimin”, tha ajo.
Bogdani bëri me dije gjithashtu se gjatë vitit janë paraqitur 13 kërkesa për mbrojtje, nga të cilat 12 janë miratuar dhe një është refuzuar. Ndërkohë, janë depozituar 61 ankesa kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nga të cilat 23 janë shqyrtuar dhe janë trajtuar me vendim.
Gjithashtu, Bogdani shtoi se në fund të muajit korrik pritet të emërohen edhe 25 magjistratë të rinj si prokurorë, pas përfundimit të studimeve në Shkollën e Magjistraturës
