Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare i Republikës së Kosovës, Andin Hoti, nënshkruan në Tiranë marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional në fushën e punësimit dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.
Marrëveshja synon të krijojë një kuadër të përbashkët bashkëpunimi për lehtësimin e punësimit të qytetarëve në të dy vendet, rritjen e mobilitetit të fuqisë punëtore, shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira, si dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për punësimin, aftësimin dhe formimin profesional.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes si një instrument konkret që afron më tej Shqipërinë dhe Kosovën në politikat e tregut të punës.
“Kjo është një marrëveshje që lehtëson qytetarët në të dy anët e Kombit, duke hapur më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim profesional”, deklaroi ajo.
Ibrahimaj vuri në dukje se përmes këtij bashkëpunimi do të afrohen më shumë tregjet tona të punës, do të përmirësohen shërbimet për qytetarët dhe do të mbështeten bizneset që kanë nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar.
Nga ana e tij, ministri Hoti theksoi se marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm në krijimin e mundësive më të mëdha për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës për të përfituar nga shërbimet dhe programet në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.
Ceremonia u zhvillua në praninë e zëvendësministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve zbatuese të të dy vendeve.
Më herët, në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes, delegacionet zhvilluan një takim dypalësh.
