Kreu i qeverisë, Edi Rama, së bashku me Ministren e Ekonomisë dher Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ishin të pranishëm në ceremoninë Grant 2026, ku u shpallën startup-et fituese që do mbështeten nga një fond prej 6 milionë eurosh për sipërmarrjen inovative.
Fjalën e mbajti fillimisht Ibrahimaj, e cila theksoi se financimi për startup-et është rritur falë rezultateve konkrete të skemës. Ajo veçoi rritjen e numrit të aplikimeve, veçanërisht nga të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse.
“Në 2022, ne u zotuam që do të jepnim 10 milionë euro në mbështetje të startup-eve, dhe ja ku jemi sot. Jam shumë e kënaqur që kemi arritur të rrisim financimin. Kjo nuk ka ardhur vetë. Ka ardhur sepse rezultatet që kemi parë kanë qenë konkrete, startup-et janë rritur dhe jemi krenarë që jo vetëm është trefishuar numri i aplikantëve.
Më vjen mirë që ka disa shifra për të cilat ia vlen të jemi krenarë. 189 aplikime kanë ardhur nga të rinj 18-25 vjeç, tre herë më shumë se një vit më parë. Jam e lumtur që brezi i ri guxon dhe vendos që të ardhmen ta ndërtojë mbi sipërmarrjen. Këtë vit në skemën e startup-eve aplikuan 470 vajza e gra”, u shpreh ajo.
Në fjalën e tij, Rama deklaroi se dyfishimi i fondit për startup-et, nga 3 në 6 milionë euro, vjen falë rritjes së të ardhurave në buxhet dhe numrit të lartë të projekteve cilësore.
Ai theksoi se objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2030 financimi për ekosistemin e startup-eve të arrijë në 20 milionë euro.
“Si rezultat, edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur përtej parashikimeve dhe të angazhojmë edhe një fond ekstra për t’iu përgjigjur të gjithë aplikantëve që kanë sjellë propozime që meritojnë ta kenë një shans. Nga 3 mln e kaluam në 6 mln euro. Nga ana tjetër, ne sot jemi këtu me një optimizëm, besoj tërësisht të justifikuar, për faktin se në një vlerësim të kohëve të fundit, sistemi ynë i startup-eve është klasifikuar i katërti për rritjen më të shpejtë në rang evropian. Patjetër që kjo rritje më e shpejtë është relative, sepse e kemi nisur nga një bazë shumë e ulët kur ndërmorëm këtë rrugëtim dhe faktikisht në vitin 2022, me një shifër më modeste, vetëm 2 mln euro, dhe mësuam bashkërisht se si ta çojmë përpara ngritjen e këtij ekosistemi.
Sot jemi në 6 mln, ambicia jonë është që deri në fund të kësaj dekade, në vitin 2030, të arrijmë në një kapacitet deri në 20 mln euro. Kjo do të varet nga cilësia e aplikimeve dhe dinamika e mëtejshme e zgjerimit të ekosistemit. Ajo që kemi mësuar është që ne duhet të jemi gati, flas për qeverinë, për të financuar deri në një volum prej 20 mln eurosh“, tha Rama.
