Ndeshja hapëse e Kupës së Botës 2026 mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut nuk u dallua aq shumë për cilësinë e futbollit, sa për dramat dhe incidentet në fushë. Në fund, vendësit e Meksikës fituan me rezultatin 2-0, duke marrë tre pikët e para në turne, sipas “TheWorldCUp.com”
Megjithatë, ajo që do të mbahet mend më shumë nga kjo përballje është numri i pazakontë i kartonëve të kuq të dhënë në pjesën e dytë të takimit. Gjyqtari brazilian Wilton Pereira Sampaio përjashtoi nga loja dy futbollistë të Afrikës së Jugut, Sphephelo Sithole dhe Themba Zwane, si dhe mbrojtësin meksikan César Montes.
Tre kartonë të kuq në një ndeshje hapëse përbëjnë një rekord të ri në historinë e Kupave të Botës. Statistika bëhet edhe më e jashtëzakonshme po të kihet parasysh se në dy edicionet e mëparshme, në vitet 2018 dhe 2022, u dhanë gjithsej vetëm katër kartonë të kuq.
Megjithatë, rekordi absolut për numrin më të madh të përjashtimeve në një ndeshje të Kupës së Botës mbetet ende i pathyer. Ai i përket sfidës së famshme të njohur si “Beteja e Nurembergut”, gjatë Kupës së Botës 2006, kur katër lojtarë u përjashtuan në ndeshjen e fazës së 1/8-ave mes Portugalisë dhe Holandës.
