Kombëtarja e Kosovës e femrave ka shënuar një arritje historike duke siguruar kualifikimin në fazën “play-off” për Kupën e Botës 2027, si dhe kalimin në Ligën B për ciklin e ardhshëm kualifikues.
Ky sukses i madh erdhi pas triumfit spektakolar si mysafire ndaj Gjibraltarit me rezultat bindës 8:0, duke mbyllur në mënyrë madhështore rrugëtimin në Grupin 2 të Ligës C.
Me këtë fitore, “Dardanet” siguruan vendin e parë në grup, me pikë të barabarta me Kroacinë, por me një goldallim më të mirë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u shpreh tejet i lumtur dhe uroi skuadrën për këtë objektiv të realizuar.
“Realizimi i këtij objektivi është një arritje historike dhe plotësisht e merituar për vajzat tona, të cilat gjatë gjithë këtij cikli dëshmuan karakter të fortë, shpirt gare, përkushtim dhe besim deri në momentin e fundit.”
Kryetari Ademi nuk kurseu fjalët e mëdha për ekipin dhe stafin teknik në krye me përzgjedhësin Sami Sermaxhaj, duke theksuar se ky sukses dëshmon progresin e vazhdueshëm të futbollit të femrave në Kosovë: “Përgëzime nga zemra secilës futbolliste dhe stafit teknik në krye me përzgjedhësin Sami Sermaxhaj për këtë arritje historike. Vazhdoni të na bëni krenarë!”.
Me një bilanc mbresëlënës prej 8 golave të shënuar në ndeshjen e fundit dhe me sigurimin e vendit të parë në grup përballë një rivali si Kroacia, “Dardanet” jo vetëm që siguruan biletën për në “play-off”, por treguan se janë gati për t’u përballur me nivele shumë më të larta në Ligën B.
