Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku fokusi kryesor është goditja e ekonomisë kriminale dhe kthimi i pasurive të konfiskuara në dobi të qytetarëve.
Në fjalën e mbajtur në konferencën “Nga Konfiskimi tek e Mira Publike”, organizuar nga AAPSK, Lamallari theksoi se lufta ndaj krimit nuk mjafton vetëm me arrestime dhe dënime, por kërkon edhe heqjen e fuqisë financiare të organizatave kriminale.
“Sot flasim për drejtësi, për shtet dhe për besim publik. Krimi i organizuar nuk ndërton vetëm rrjete kriminale, por krijon fuqi ekonomike, korrupton dhe godet besimin e qytetarëve tek shteti”, u shpreh ministri.
Ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar qindra pasuri me vlerë mbi 61 milionë euro, ndërsa në administrim ndodhen mijëra pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Sipas Lamallarit, këto rezultate janë dëshmi e forcës së institucioneve dhe e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut, strukturave të hetimit financiar dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Ministri nënvizoi se sfida nuk përfundon me konfiskimin e pasurive, por me mënyrën se si ato rikthehen në shërbim të publikut.
“Pasuritë e krimit nuk duhet të harrohen dhe as të degradojnë. Ato duhet të kthehen në dobi publike, në investime për qytetarët dhe në shërbim të komunitetit”, deklaroi ai.
Lamallari solli në vëmendje edhe raste konkrete ku fondet dhe asetet e konfiskuara janë përdorur për të mbështetur institucionet e drejtësisë, projekte sociale, shkolla, spitale dhe qendra komunitare.
“Hapësirat që dikur simbolizonin paligjshmëri po transformohen në qendra komunitare, ambiente për fëmijët, art dhe kulturë. Ky është mesazhi më i fortë që mund të japë një shtet demokratik: pasuria e krijuar nga krimi po kthehet në vlerë për qytetarët”, tha ministri.
Duke u ndalur tek sfidat e reja të krimit financiar, Lamallari theksoi se kripto-asetet, transfertat ndërkufitare dhe format moderne të pastrimit të parave kërkojnë përgjigje të reja dhe bashkëpunim të fortë ndërkombëtar.
Ai vlerësoi partneritetin me Bashkimin Europian, Europol-in, Eurojust-in dhe vendet partnere, duke theksuar se Shqipëria mbetet e vendosur për të forcuar shtetin e së drejtës dhe standardet europiane në luftën kundër krimit të organizuar.
“Nje shtet i fortë nuk është vetëm ai që arreston kriminelët. Një shtet i fortë është ai që i heq krimit pasurinë, fuqinë dhe ndikimin në shoqëri dhe ua kthen qytetarëve atë që u është marrë padrejtësisht”, përfundoi Lamallari.
