Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë, më 4 maj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si pjesë e masës ndaj tij për detyrim paraqitjeje, lidhur me dosjen “Partizani“.
“Drejtësia vonon, por nuk harron”, tha ai në nisje të fjalës së tij përpara një prononcimi për mediat.
Altin Dumani bleu apartament me 390 euro/metrin, tha se banonte aty kur nuk ekzistonte
Gjatë fjalës së tij, Berisha ngriti akuza ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani. Sa i takon procesit të Vettingut të kaluar prej tij, Berisha ngriti dyshime mbi saktësinë në raportimin për pasurinë e tij.
Lideri demokrat nxori para gazetarëve një dokument, ku sipas tij në faqen 7 thuhet se Dumani “ka bërë kontratë porosie në vitin 2006 me A.P-në, djalin e xhaxhait të gruas mpër apartament (dhe zyrë) me 390 €/m². Por një faqe më pas (faqe 8), po e vetingut, shkruan se në apartamentin që nuk ekzistonte në 2006 ka filluar të banojë që nga 2004 dhe me 390 €/m². Më pas, Dumani i vuri bodigardin personal si polici private A.P, kur ky hiqte ata që ua kishte shitur disa herë apartamentin.”

Berisha shtoi se apartamenti ndodhet “në një nga zonat më elitare te Tiranës, nga Liqeni a Kodra e Diellit atje.”
Berisha: Dëshmia e Irena Gjokës nuk ka firmën e hetuesve!
Por Berisha tha se detajet mbi apartamentin në fjalë do t’i tregonte një herë tjetër, pasi sot kishte një çështje tjetër më të rëndësishme për të diskutuar, që sipas tij meriton të futet në librin e rekordeve Guinees. Kjo për gjyqtaren Irena Gjoka, dëshmia e së cilës sipas tij nuk ka firmën e hetuesve.
“Irena me 5 mbiemra, Altin Troplini i hapi, për ta mbrojtur, dosje hetimore. E paditur, hapi dosjen. Dosjen e hapi pa emër. Dhe, Irena thirret për dëshmitare. Pra, keni parë ju, dosje penale pa të akuzuar, mbajeni mend këtë, dosje penale pa të akuzuar. Kjo është forma më e poshtër e njerëzve të antiligjit.
Shikoni tani, shikoni pak këtu. A mund të imagjinoni ju që dëshmia e Irenës në dy faqe e gjysëm, ka vetëm firmën e Irenës dhe administrohet në dosje gjyqësore pa firmën e hetuesit. Ja ku e keni! Ky është hetimi që ka bërë Altin Troplini për Irena Dumanin.
Tani, që një procesverbal, një dëshmi, do u përgjigjet pyetjeve ai që është thirrur, pa diskutim. Por që hetuesit, Toni Gramo dhe Elton Kërluku, nuk e kanë firmosur. Është për Guiness, miq. Dosje gjyqësore e dërguar në gjykatë. Pse nuk e kanë firmosur? Nuk kanë dashur të firmosin mashtrimet e Irenës me 5 mbiemra.”, tha Berisha, i cili shtoi më tej se ky ishte një rast unik në planet.
Në këtë konferencë për mediat, Berisha u pyet nga gazetarët se pse PD po e mban të fshehtë ‘dosjen Balluku’ që pretendon se ka.
Por lideri demokrat u shpreh se nuk i nxjerr të dhënat e dosjes për shkak të moszbulimit të dëshmitarëve, të penduarve të drejtësisë.
“Në atë dosjen ‘Balluku’, të garantoj unë ty se po të ishte Sali Berisha paditësi, do e bëja publike, por këtu jam palë. Jam i detyruar. Kolegëve të mi nuk i kërkoj. Aty ka dëshmitarë, bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe unë në asnjë rrethanë nuk pranoj kurrë që ata të tradhtohen. Ata janë njerëz të çmuar. Pavarësisht se kanë bërë gabime. I kanë thirrur vetes dhe kanë gjetur një miligramë njerëzore te vetja dhe t’i shërbejnë njerëzve me dëshminë e tyre. Ata që kërkojnë që ne të nxjerrim në treg të penduarit e drejtësisë, gabohen se s’do ta bëjmë kurrë. Ne jemi për mbështetje të plotë e totale të hetimeve. Si më thua mua të nxjerr për herë të parë bashkëpunëtorët e drejtësisë?!”, tha ai.
