Image 440 1024x683

Kryeministri Edi Rama ka dhënë dje, 19 prill, një intervistë për gazetën italiane Il Giornale, ku ka folur për marrëdhëniet me Italinë, zhvillimet në Shqipëri dhe situatën ndërkombëtare, duke ndërthurur si gjithmonë politikën me pasionin e tij për artin.

Hyrja në zyrën e tij të befason që në fillim.

Pasi kalon kontrolle shumë të rrepta sigurie dhe lë pas çdo send personal, përshkon korridore të heshtura, pothuajse si në manastir. Por sapo hapet dera e studios, gjithçka ndryshon: muret janë të mbuluara me ngjyra të forta, të kuqe, portokalli, të verdhë, jeshile, blu e vjollcë, të shpërndara në forma të çrregullta, por me një harmoni të gjallë.

Vetë Rama shfaqet po aq i veçantë: trup i gjatë prej ish-basketbollisti, i veshur thjesht me të zeza dhe atlete të bardha. Pamja e parë të imponon respekt, por buzëqeshja e tij të çliron menjëherë.

Në zyrë bie në sy një varëse plot me kravata shumëngjyrëshe dhe një tavolinë e mbushur me stilolapsa e shkumësa. Arti dhe politika, për të, janë të ndërthurura ngushtë, një trashëgimi nga i ati, piktor dhe skulptor.

Para takimit në Romë me kryeministren italiane Giorgia Meloni, Rama e kishte quajtur atë në Instagram “motër”. Për takimin, ai shprehet se gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe se Meloni ka një vizion të qartë strategjik për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sa i përket marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë, Rama thekson se, megjithëse ka interes nga vende të tjera evropiane, ajo mbetet një marrëveshje ekskluzive me Italinë dhe nuk do të përsëritet me vendet e tjera.

Duke folur për zhvillimin e vendit, ai sjell disa shifra domethënëse: ekonomia shqiptare është rritur ndjeshëm, nga më pak se 10 miliardë euro në fillimet e tij në politikë, në rreth 27 miliardë sot. Turizmi ka njohur gjithashtu një rritje të madhe, nga rreth 2 milionë vizitorë dikur, në rreth 8 milionë sot. Edhe investimet e huaja janë rritur ndjeshëm.

Rama dhe Meloni

Në drejtësi, Rama thekson reformën e thellë që ka synuar pastrimin e sistemit nga korrupsioni dhe ndarjen e qartë të pushteteve. Ai shton se Shqipëria ka zbatuar prej kohësh ndarjen e karrierave mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, një model i përhapur në Evropë.

Në administratën publike, sipas tij, është bërë një revolucion digjital: qytetarët nuk kanë më nevojë të presin në radhë për dokumente apo shërbime, pasi shumica kryhen online. Synimi është që deri në vitin 2028 gjithçka të jetë e digjitalizuar, përveç disa sektorëve si kadastra, ku ende ka probleme të trashëguara nga e kaluara.

Një nga risitë më të diskutuara është edhe përdorimi i inteligjencës artificiale në qeverisje, përmes një asistenti virtual të quajtur “Diella”. Sipas Ramës, kjo platformë tashmë ndihmon qytetarët dhe në të ardhmen pritet të thjeshtojë edhe më shumë shërbimet, duke mundësuar komunikimin me zë.

Ai shton se po punohet edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimet publike, me synimin për më shumë transparencë dhe më pak ndërhyrje njerëzore.

Marrëdhëniet me Italinë, sipas tij, janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit, duke kaluar nga ide në projekte konkrete në fusha si infrastruktura, energjia, mbrojtja dhe shëndetësia. Ai përmend bashkëpunime me kompani si Fincantieri dhe Leonardo, që synojnë zhvillimin industrial dhe teknologjik.

Sa i përket kritikave për kriminalitetin dhe pastrimin e parave, Rama i hedh poshtë këto pretendime, duke theksuar se Shqipëria është një vend i sigurt dhe se investimet në ndërtim janë të monitoruara përmes sistemit bankar, kryesisht ndërkombëtar.

Në planin ndërkombëtar, ai e sheh botën në një moment të ndjeshëm për demokracitë perëndimore, ndërsa për figurën e Donald Trump shprehet se mund të jetë një “shtysë” për Evropën që të reflektojë dhe të forcohet.

Rama ndalet edhe te ndikimi i rrjeteve sociale në politikë, duke paralajmëruar për degradimin e komunikimit publik dhe nivelin e debatit. Sipas tij, rrjetet sociale kanë prishur standardet e komunikimit dhe kanë krijuar një mjedis të dëmshëm për diskursin publik.

Në fund, ai kthehet te pasioni i tij për artin. Edhe gjatë intervistës, ndërsa flet, vazhdon të vizatojë, një mënyrë për të balancuar ngarkesën e politikës me krijimtarinë personale.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights