ELBASAN.mp4 snapshot 01.30.400 1024x576

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu po merr pjesë këtë të martë, më 14 prill, në Samitin për Klimën që po zhvillohet në Elbasan.

Gjatë fjalës së saj, Koçiu theksoi se qyteti po përjeton një transformim të rëndësishëm, veçanërisht në turizëm, falë projekteve si rijetëzimi i kalasë dhe zhvillime të tjera infrastrukturore.

Sipas saj, ndryshimi më i madh lidhet me ambicien për ta kthyer Elbasanin në një model zhvillimi të qëndrueshëm, duke e afruar me standardet e qyteteve europiane.

Koçiu nënvizoi se Elbasani është ndër tre qytetet e vetme në Ballkanin Perëndimor që ka marrë përsipër këtë sfidë, duke synuar zhvillimin e transportit publik dhe forcimin e partneriteteve me qytete europiane, në funksion të një perspektive të gjelbër dhe të qëndrueshme.

“Një transformim infrastrukturor. Projektet e reja nga bypass-i i Elbasanit tek autostrada e projektuar Elbasan-Lekaj, si dhe përfundimi i Korridorit 8 po e vendosin qytetin në një pozicion krejtësisht të ri strategjik.


Së dyti, një transformim industrial, nga rrënojat e metalurgjikut që e falimentoi Elbasanin me ndotjen dhe ku sot ndërtohet një park industrial kombëtar i orientuar drejt prodhimit modern, inovacionit dhe teknologjisë.
Së treti, po shohim edhe një transformim turistik sepse nga rijetëzimi i kalasë, tek automotoparku, e deri tek atraksionet turistike në gjithë qarkun, i gjithë Elbasani po pozicionohet fuqishëm në tregun tonë turistik.


Të gjitha këto janë absolutisht shumë të rëndësishme por transformimi më i madh dhe më domethënës është ai që na ka mbledhur këtu sot, ku ambicia nis të kthehet në realitet.
Nuk ka shumë lista të tjera, asnjë renditje tjetër, asnjë ambicie tjetër, ku Elbasani të qëndrojë krah qyteteve të tjera si Amsterdami, Mynihu, Roma, Milano, Zagrebi apo Madridi. E vetmja listë ku ai është krah tyre është kjo e mbi 100 qyteteve europiane, ku po zbatohet misioni i BE-së për qytetet e zgjeruara dhe neutrale për klimën.
Mes 3 qyteteve të vetme në Ballkanin Perëndimor, dhe i vetmi jo kryeqytet që ka marrë përsipër këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme. Qytet i zgjeruar dhe neutral, në praktikë do të thotë në realitet përdorim i gjerë i energjisë diellore dhe burimeve alternative në shkolla dhe ndërtesa publike, transport publik që nuk ndot, transformim i zonave, përmirësim i eficiencës energjetike në të gjithë vendin dhe kjo sjell në praktikë partneritet me qytetet europiane dhe perspektivë të gjelbër.”,
 tha zv.kryeministrja.

Konferenca “Zbatimi i Kontratës Klimatike të Qytetit” sipas zv.kryeministres, konfirmon angazhimin dhe rrugëtimin e qytetit drejt neutralitetit klimatik, duke synuar të shërbejë si model inovacioni dhe transformimi për qytetet e tjera deri në vitin 2050.

Elbasani është një nga 112 qytetet evropiane të përzgjedhura në kuadër të Misionit të Qyteteve dhe një nga vetëm 3 qytetet e Ballkanit Perëndimor me këtë status.

Sipas zv.kryeministres Koçiu, marrja sot e “lable” të Kontratës së Qytetit për Klimën konfirmon vlerësimin evropian për angazhimin e qytetit drejt neutralitetit klimatik dhe e forcon rolin e tij si pararojë e tranzicionit të gjelbër në Shqipëri dhe rajon.

 

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights