Heroinat 696x389

Ushtruesja e detyrës së presidentit dhe njëherësh edhe kryekuvendarja, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti, ministra, deputetë e të mbijetuar të dhunës seksuale kanw bërë homazhe pranë memorialit “Heroinat” në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

Lule pranë këtij memoriali kanë vendosur Vasfije Krasniqi, Ramadan Nishori, drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti.

14 prilli është data kur u dhunua seksualisht Vasfije Krasniqi, e cila publikisht në vitin 2018 rrëfeu për tmerrin e përjetuar.

Numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë gra e burra.

Për herë të parë publikisht për tmerrin e përjetuar rrëfeu Vasfije Krasniqi në vitin 2018. Më pas, Shyrete Tahiri ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.

Ramadan Nishori nga Drenasi, është burri i parë që foli publikisht për dhunimin seksual, pikërisht më 14 prill të vitit të kaluar që njihet si Dita Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë homazhe tek memoriali “Heroinat”, duke kujtuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në ditën memorial të tyre.

Haxhiu tha se u mblodhën këtë të martë për ta përkujtuar dinjitetin dhe sakrificën e viktimave nga dhuna seksuale gjatë luftës së fundit.

“Janë histori te thella të dhimbjes, por edhe të qëndresës dhe forcës së jashtëzakonshme. Vajzat dhe gratë, sikurse djemtë dhe burrat që i mbijetuan kësaj dhune na tregojnë që kemi edhe shumë punë për adresimin e përgjegjësive tona si institucione të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Mes tjerash, ajo bëri të ditur se së fundmi janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Gjatë kohës së fundit janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi dhe tri vendime të gjykatave, vendime dënuese për rastet e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. Dy prej tyre janë në Gjykatën Themelore, ndërsa një ka marrë vendimin e formës së prerë”, shtoi Haxhiu.

 

U.d. presidentja e vendit ka potencuar se do të vazhdojnë të adresojnë përgjegjësitë për të gjitha krimet e luftës, derisa ka falënderuar organizatat e shoqërisë civile që kanë mbajtur lartë moralin e të gjitha viktimave.

Në fund, ajo kërkoi nga Serbia që t’i hedh para organeve të drejtësisë të gjithë personat që  kanë kryer krime lufte.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights