Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur këtë të hënë, më 13 prill, Kolegjin e Kryetarëve në selinë blu.
“E kemi thirrur këtë mbledhje për probleme jashtëzakonisht të rëndësishme të partisë dhe të vendit”, e nisi fjalën e tij lideri demokrat.
“Rama përdori 83 mandatet e krimit për të bllokuar drejtësinë”
Gjatë deklaratës së tij në këtë mbledhje, Berisha ka ngritur shqetësime për situatën politike në vend dhe ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se i përdori 83 mandatet e krimit për të bllokuar drejtësinë ndaj familjarëve dhe qeveritarëve afër tij.
“Për të shpëtuar lëkurën e tij, dhe miq, duhet ta kemi të qartë, shqiptarët duhet ta dinë, se diktatorët dhe narkodiktatorët për të shpëtuar lëkurën, janë të aftë të ndërmarrin çdo vendim. Nuk njohin asnjë interes tjetër përveç interesit të vet. Kështu që, pavarësisht nga paralajmërimet e hapura ndërkombëtare që mori dhe të përsëritura, që mori, ai përdori 83 mandatet e krimit për të, për t’i mbyllur dyert institucionit të akuzës për qeveritarët dhe afër tij dhe familjarët e tij. Me këtë akt të pashoq në ndonjë vend që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian, me këtë sfidë të hapur që ai u bëri qytetarëve shqiptarë, duke u provuar se vjedhjet e tij nuk mund të dënohen, nuk mund të gjykohen, ai krijoi apo solli, si mund të them, një bllokim të një raporti në Komisionin Evropian, që është raporti i bardhë, raporti i standardeve, por është një raport i ndërmjetëm, nuk është një raport përfundimtar.
Një raport i ndërmjetëm. Dhe e vërteta është se me gjithë pesë shqyrtimet, ky raport për Shqipërinë ka mbetur në klasë. Me gjithë telefonatat e tij, mund t’ju them që po t’i mblidhni janë dhjetëra orë me zyrtarë evropianë dhe zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare, ai nuk ka arritur, përkundrazi, numri i vendeve të cilat kanë kundërshtuar votimin e këtij raporti ka ardhur në rritje dhe jo vetëm kaq, por dhe numri i çështjeve që vendet kanë ngritur për Shqipërinë ka ardhur gjithnjë në rritje. Ndërkohë, po në funksion të lëkurës së tij, ai ka bërë lëvizjen tjetër, së bashku me serbomadhin Aleksandër Vuçiç, kanë bërë një letër Bashkimit Evropian, në të cilën që të dy, për interesa të tyre kriminale, dhe jo të popullit, të popujve të tyre, shpallin se ata nuk janë, nuk kërkojnë një anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, por një lloj tjetër integrimi, vetëm marrëveshje tregtare dhe lëvizje të lirë.”, u shpreh Berisha.
