Skënder Hita mori sot zyrtarisht detyrën si Kreu i Policisë së Shtetit me gradën “Drejtues madhor”, teksa u mbajt për rreth gjysmë ore ceremonia protokollare, pranë Drejtorisë së Përgjithshme.
Pasi kreu betimin, Hita mbajti fjalën e parë si drejtor i Policisë së Shtetit, duke iu premtuar qytetarëve se “Policia do të jetë gjithmonë në krahun e tyre dhe të ligjit“.
“Në këtë çast solemn, në shenjë nderimi dhe respekti për gjakun e policëve të rënë në krye të deryrës, të vendosur për të ruajtur sigurinë publike dhe për të zbatuar ligjin, në nderin tim personal betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit! Betohem!”
Pas 25 vitesh karrierë, Hita rreshtoi objektivat e tij kryesore, që nga lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, rritja e parametrave të sigurisë në shkolla dhe komunitet, forcimi i rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e deri te rritja e transparencës dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë apo çdo agjenci ligjzbatuese.
Punonjësve të Policisë iu tha: Ju jeni shtylla e këtij institucioni! Nga ju kërkoj përkushtim, ndershmëri dhe respekt të palëkundur për ligjin dhe qytetarët. Do të jem mbështetësi juaj në rrugën e drejtë, por edhe kërkues i lartë i standardeve dhe përgjegjësisë, sepse po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi evropian. Le të punojmë së bashku për një polici që nuk e imponon autoritetin, por e fiton atë çdo ditë përmes shërbimit dhe drejtësisë.
Siç e do protokolli, iu dorëzuan simbolet e Policisë së Shtetit nga Sokol Bizhga, i cili për 1 muaj ka qenë drejtor i komanduar.
“Sot Policia e Shtetit ka hyrë në një fazë të re, si një trupë e orientuar qartë drejt modernizimit dhe digjitalizimit. Është një standard që jo vetëm duhet ta ruajmë, por edhe ta çojmë më tej”, u shpreh në nisje të ceremonisë zv.kryeministrja Albana Koçiu, duke e specifikuar këtë pikë si detyrën e parë në fokus të drejtorit të ri.
“Mbetet prioritet pipërtëritja e trupës së Policisë së Shtetit përmes afrimit të të rinjve dhe forcimit të integritetit, duke garantuar që ajo uniformë të mbahet vetëm nga ata që e meritojnë”, shtoi më tej Koçiu, që më parë ka qenë në postin e ministres së Brendshme.
“Energjia e drejtorit të ri do të jetë një vlerë e shtuar”, theksoi Koçiu, pa harruar punën e bërë nga paraardhësi i Hitës, Ilir Proda.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vlerësoi procesin transparent dhe meritokratik që çoi në përzgjedhjen e Hitës.
Ai theksoi tre elementë kryesorë që e bëjnë këtë moment të veçantë: procesi i përzgjedhjes ishte transparent dhe me meritë, Policia e Shtetit i besohet një personi të besueshëm, dhe pjesëmarrja e kandidatëve të tjerë tregon nivelin e lartë të profesionalizmit brenda institucionit.
