IMG 20260322 WA0943 696x464

Policia arrestoi 15 protestues dhe procedoi penalisht 9 të tjerë, pas incidenteve të shënuara gjatë protestës së zhvilluar më 22 mars në Tiranë, të organizuar nga Partia Demokratike.

Sipas Policisë, gjatë zhvillimit të protestës, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e rendit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e sigurisë publike.

Po ashtu, ndaj tyre dhe në drejtim të disa institucioneve janë hedhur lëndë djegëse, të njohura si molotovë.

Si pasojë e përplasjeve, 6 punonjës policie mbetën të dëmtuar dhe morën ndihmë mjekësore në spital, ndërsa janë jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, janë shkaktuar dëme materiale, ku përfshihen djegia e disa koshave të mbeturinave dhe e një automjeti policie, si edhe dëmtime në godina.

Nga veprimet hetimore janë identifikuar 24 shtetas të dyshuar për veprime të kundërligjshme.

Prej tyre, 15 janë arrestuar në flagrancë, ndërsa për 9 të tjerë ka nisur procedimi penal, përfshirë edhe disa shtetas të mitur.

Policia bëri të ditur se materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, ku ka nisur procedimi penal edhe për një deputet me iniciale K.B. për veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “shtyrja e të miturit në krim”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në incidentet gjatë tubimit.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights