Policia ka liruar nga qelia këtë të premte, më 20 mars, drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, pasi hetimet paraprake nuk kanë gjetur lidhje të tij me dy magazinat ku u sekuestruan rreth 4 mijë rrënjë kanabis.
Hasa do të hetohet në gjendje të lirë.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur vëllai i tij, R.H, si dhe një përgjegjës i OSHEE-së, të dy të dyshuar për përfshirje në këtë rast. Hetimet e mëtejshme vazhdojnë për identifikimin e të gjitha personave të përfshirë dhe zbardhjen e rrjetit të kultivimit të lëndës narkotike.
Ditën e djeshme, u sekuestruan rreth 4 mijë rrënjë kanabis në dy magazina, në fshatin Kurtaj të njësisë administrative Gjocaj të Peqinit.
Në momentin që është ndërhyrë nga forcat e policisë, brenda ambienteve nuk është gjetur njeri. Por magazinat rezultonin në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.
Pas ngjarjes, ai u shpall në kërkim dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezulloi nga detyra. Më pas ai u vetëdorëzua. Megjithatë i ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij.