Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) ka lëshuar këtë të shtunë, 7 mars, shtatë urdhër-arreste për krime të rënda, duke goditur një nga grupet kryesore kriminale në Vlorë.
Për këtë strukturat e policisë Vlorë, forcat RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë zbarkuar që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm te “Uji i Ftohtë”.
Po ushtrohet kontroll në banesat e personave të dyshuar për precedentë kriminalë.
Operacioni i befasishëm po monitorohet edhe me dronë nga ajri.
Paraprakisht mësohet se është zbardhur (përmes komunikimeve në Sky ECC) vrasja e Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur më 6 shkurt 2021.
Rreth orës 18:16 të asaj dite, që për ironi ishte po e shtunë, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit, 40 vjeçarit iu bë atentat nga një automjet në lëvizje.
Qarri, me nofkën ”Gëçja”, fillimisht mbeti i plagosur, por si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital. Në vendngjarje u gjetën të paktën 11 gëzhoja, ndërsa viktima mori plumba në kraharor e këmbë.
Pak kohë pas ngjarjes, autoritetet gjetën të djegur një makinë Toyota me targa greke në Pyllin e Sodës, e cila dyshohej se u përkiste autorëve të ngjarjes. Në automjet, u gjet edhe një kallashnikov.
Qarri ka qenë i dënuar me 15 vjet burg në Itali për trafik droge dhe ishte rikthyer në atdhe 3 vite para se të ekzekutohej, ndërsa raportohet se ka punuar në fushën e montimit dhe riparimit të kondicionerëve.
Teksa pritet që SPAK të dalë me njoftim zyrtar, mësohet se tre nga personat që dyshohet se kanë lidhje me krimin e para 5 viteve, janë personazhe të njohura të botës së krimit, përkatësisht, Flodian Plaku (i njohur me nofkën “Pole Qorri”), Ervis Matodoshaj dhe Inez Hajrulla.
Hajrulla dhe Matodoshaj janë ende në kërkim nga blutë, ndërsa dy të tjerë ndodhen aktualisht në qeli. Nga ana tjetër, një person është arrestuar në Greqi, ndërkohë që dy masa të tjera janë ekzekutuar në Itali, në bashkëpunim me autoritetet atje.
Siç bën me dije gazetarja Daci, në pranga ka përfunduar edhe një ish-efektiv policie, i cili më herët ishte dyshuar për përfshirje edhe në ngjarje të tjera kriminale.
