📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

✕
🌙 Dark
⚫ Contrast
🔄 Invert
⚪ Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
KLE07696.jpg

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës çeli siparin e edicionit të 32-të në Pallatin e Kongreseve, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar, në një pikë të rëndësishme takimi për biznesin, sipërmarrjen dhe bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar.

Tirana International Fair këtë vit mirëpret mbi 300 kompani ekspozuese nga data 3 deri më 6 nëntor, dhe mbetet një nga manifestimet më të rëndësishme të biznesit në Shqipëri, si dhe një platformë e konsoliduar për promovimin e sipërmarrjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Ceremonia e hapjes mblodhi përfaqësues të qeverisë, komunitetit diplomatik, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe kompani vendase e të huaja, ku në fjalët përshëndetëse u vlerësua kontributi i Klik Ekspo Group gjatë më shumë se tre dekadave në zhvillimin e këtij aktiviteti dhe në krijimin e mundësive të reja për biznesin.

Luel Muhametaj, menaxheri i Përgjithshëm i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa u ndal në rrugëtimin e Klik Ekspo Group ndër vite, theksoi se prej më shumë se tre dekadash, qëllimi i këtij panairi ka qenë të ndihmojë njerëzit dhe bizneset të gjejnë njëri-tjetrin dhe se këtë vit, ky mision po shkon një hap më tej, aq më tepër në një periudhë pasigurie gjeopolitike, kur tensionet mes vendeve ndikojnë në vendimet për tregtinë dhe investimet. ‘’Bashkimi i njerëzve rreth interesave të përbashkëta të biznesit ndihmon në ruajtjen e dialogut dhe krijon një bazë konkrete për bashkëpunim. Kjo frymë qëndron në themel të modelit tonë të “panairit të panaireve”, i cili sjell nën një çati ekspozita të specializuara nga industri të ndryshme,’’ tha Muhametaj, ndërsa shtoi se platforma e re B2B  ndihmon të gjenden kompanitë e duhura, dhe të planifikohen takime.

Investimet në Energjetikë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, përshëndeti aktivitetin, duke bërë një pasqyrim të ecurisë së sektorit energjetik në vend. Ai theksoi se gjatë dekadës së fundit janë rritur ndjeshëm investimet, është hapur Bursa Shqiptare e Energjisë, është ulur çmimi për konsumatorët dhe, mbi të gjitha, është rritur prodhimi vendas i energjisë elektrike përmes diversifikimit të burimeve.

“Vetëm për pesë vite ne ia kemi dalë që të kemi rreth 650 mega kapacitet shtesë energjie fotovoltaike, që sot përbën rreth 11% të energjisë së prodhuar në vend.  Sigurisht që ky është një zhvillim shumë pozitiv, jo vetëm për investitorët, por së pari edhe për vetë tregun dhe sektorin energjetik vendas, sepse gjatë sezonit veror ne jemi më të sigurt për sa i përket energjisë së zhvilluar”, u shpreh ministri.

Karakaçi u ndal edhe te ankandet e zhvilluara për ndërtimin e parqeve eolike, duke ndarë me të pranishmit detaje për dy investime konkrete në sektorin e energjisë së erës.

“Kemi tentuar ta zbatojmë këtë gjë edhe për energjinë e erës. Vetëm para tre-katër ditësh unë nënshkrova fillimin e punimeve për impiantin e parë të erës të ndërtuar nga kompania austriake VERBUND me kapacitet rreth 75 mega, që është kapaciteti i parë i erës në Shqipëri në një përmasë të tillë, edhe ai i zhvilluar me anë të një ankandi kompetitiv, transparent dhe që realizoi mundësinë për ardhjen e këtyre investitorëve. Pse po ndalem tek ankandi, për t’ju thënë që ai që është i interesuar, brenda fundit të këtij viti ose fillim vitit pasardhës, ne njoftojmë një ankand të ri në Shqipëri, me kapacitet mbi 300 mega, i zhvilluar përsëri me BERZH, që këtë herë do ketë edhe bateritë si teknologji që i atashohen këtyre impianteve”, deklaroi Karakaçi.

Bujqësia dhe Zhvillimi Rural

I ftuar në ceremoninë hapëse, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vlerësoi panairin, për mundësitë reale që ofron për sipërmarrjen shqiptare dhe për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare.

“Ky panair nuk është thjesht një hapësirë ekspozimi. Është një mundësi për të krijuar partneritete, për të tërhequr investime dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ekonomik”, u shpeh Salla.

Sipërmarrjet me lidhje të drejtpërdrejta në sektorin bujqësor, zënë një hapësirë të dedikuar në Panarin e 32-të Ndërkombëtar të Tiranës, pasi bujqësia shqiptare është një sektor me potencial jo vetëm për prodhimin, por edhe për përpunimin, eksportin, inovacionin dhe krijimin e vlerës së shtuar.

“Ne besojmë se e ardhmja e bujqësisë nuk ndërtohet vetëm mbi traditën tonë të pasur, por mbi modernizimin, teknologjinë, standardet evropiane dhe investimet e reja. Shqipëria ka tokën, klimën, produktet cilësore dhe mbi të gjitha njerëzit që punojnë çdo ditë në këtë sektor. Për këtë qëllim, përmes skemave kombëtare të mbështetjes, krahas subvencioneve direkte për fermerët dhe Garancisë Sovrane, po i japim një rëndësi gjithnjë e më të madhe bashkëfinancimit të investimeve” tha ministri, ndërsa foli edhe për mekanizmat dhe incentivat që  Ministria e Bujqësisë ka ngritur për rritjen e kapaciteteve në vend.

Prezenca e Bosnje-Hercegovinës në Panair

Emil Kučković, CEO i kompanisë mediatike dhe analitike ‘Poslovne novine’ me qendër në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit ku theksoi rëndësinë e TIF32, për të ndërtuar biznese përtej kufijve.

‘’Këtë vit unë nuk kam ardhur vetëm. Kam ardhur së bashku me familjen nga Bosnja dhe Hercegovina dhe me disa nga kompanitë, ku disa prej tyre janë për herë të parë këtu në Tiranë. Ideja, e Klik Ekspo Group, e këtij eventi të nivelit ndërkombëtar do t’i japë kompanive tona më shumë mundësi për të ndërtuar biznese përtej kufijve. Unë jam i lidhur me Tiranën prej tashmë pesë vitesh. Kam hapur një kompani këtu. Kam hapur një agjenci për të bërë biznes me bankat, por duhet të zgjerojmë bashkëpunimin. Unë shpresoj që ky të jetë një hap tjetër përpara për lidhje më të fuqishme, për t’i lidhur më mirë kompanitë tona,’’ theksoi z. Kučković.

Ndërsa Luigi Triggiani, sekretar i Përgjithshëm, Unioncamere Puglia, në ceremoninë hapëse vlerësoi organzimin e panairit Klik Ekspo Group si një mundësi për të bashkuar njerëz dhe biznese. ‘’Ne, si Unioncamere Puglia, kemi dashur të sjellim në Tiranë atë që ky qytet meriton, duke krijuar një hapësirë ku sipërmarrësit mund të takohen, të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre, por mbi të gjitha të shkëmbejnë ide, përvoja dhe mundësi të reja bashkëpunimi. Panaire të tilla janë të rëndësishme sepse nuk shërbejnë vetëm për të promovuar bizneset, por edhe për të ndërtuar ura komunikimi mes tregjeve të ndryshme. Ne besojmë te potenciali i bashkëpunimit ekonomik mes Italisë dhe Shqipërisë, veçanërisht në sektorë si dizajni, industria, tregtia dhe shërbimet, ku ekzistojnë mundësi të shumta për zhvillimin e marrëdhënieve mes sipërmarrjeve,’’ theksoi z.Triggiani.

Kompanitë ekspozuese

Me një sipërfaqe ekspozuese prej 8.000 m², aktiviteti mirëpret këtë edicion mbi 300 kompani, ku 60% janë të huaja dhe 40% shqiptare, si dhe 15 ente shtetërore, përfaqësues nga më shumë se 12 vende të botës si: Italia, Greqia, Austria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnjë Hercegovina, Irlanda, Gjermania, Mali i Zi, Serbia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e  Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera edhe shoqata biznesi dhe dhoma tregtie.

Në këtë edicion, panairi organizohet përmes pesë ekspozitave të specializuara, të cilat përfshijnë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe zhvillimit të Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Qendrore; TIF POWER – energjia, infrastruktura, ndërtimi dhe zhvillimi imobiliar; TIF EXPLORE – turizmi, hoteleria, zhvillimi i destinacioneve dhe investimet turistike; TIF AGRO – bujqësia, industria ushqimore, përpunimi, ambalazhimi, logjistika dhe eksportet; TIF TECH- teknologjia, inovacioni, digjitalizimi, automatizimi, siguria kibernetike dhe sistemet e pagesave; GALLERY OF NATIONS – pavijonet kombëtare, kompanitë ndërkombëtare, dhomat e tregtisë, agjencitë e promovimit dhe delegacionet ekonomike.

Takimet e biznesit

Një fokus të veçantë në këtë panair merr programi B2B, që organizohet në bazë të  profileve të kompanive, ku gjatë 4 ditëve të panairit parashikohen rreth 5,000 takime B2B të konkretizuara, me fokus Shqipërinë dhe rajonin, duke lidhur blerës, ekspozues, importues, partnerë biznesi dhe  investitorë, me synim krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim dhe zhvillim marrëdhëniesh tregtare. Përvoja e Klik Ekspo Group në njohjen e tregut, identifikimin e  partnerëve dhe koordinimin lokal i jep kësaj vijimësie një mbështetje praktike, ndërsa TIF  ruan rolin e tij si vendi ku shumë prej këtyre marrëdhënieve marrin fill.

Nisma ManiFuture

Prania italiane në TIF32 mbështetet në një marrëdhënie të gjatë mes dy brigjeve të Adriatikut, e cila gjen shprehje në shkëmbimin e përvojës prodhuese dhe në kërkimin e  partnerëve tregtarë. ITA– Italian Trade Agency, partner i këtij edicioni, ka kontribuar në promovimin dhe pjesëmarrjen e kompanive italiane, me vëmendje të veçantë ndaj TIF  Poëer & Construction, ku pajisjet, teknologjitë dhe zgjidhjet inxhinierike u përgjigjen  nevojave të projekteve që zhvillohen në Shqipëri.

Salloni i Designit dhe Objekteve të Arredimit, me mbështetjen e  Regione Puglia dhe Unioncamere Puglia, i kushtohet kulturës së projektimit dhe  manifakturës për banimin e mikpritjen; hapësira është konceptuar si një paraqitje e përbashkët, në të cilën identiteti i secilës ndërmarrje mbetet i dallueshëm dhe produkti  mund të lexohet së bashku me mjeshtërinë, materialin dhe kulturën që e kanë krijuar.

Janë mbi 70 sipërmarrje italiane nga rajone të ndryshme të Italisë, përfshirë Puglia, Lazio, Campania, Veneto dhe Marche, që marrin pjesë në Panair, duke prezantuar  produktet, shërbimet dhe mundësitë e tyre për bashkëpunim në tregun shqiptar dhe atë  rajonal.

Evropa Qendrore dhe Ballkani Perëndimor

TIF32 forcon lidhjet ekonomike mes Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, duke  sjellë në Tiranë kompani me traditë të gjatë dhe ekspertizë të specializuar në sektorë të  ndryshëm. Për herë të parë në kryeqytetin shqiptar prezantohen sipërmarrje gjermane me  histori shekullore, ndër to edhe Gebrüder Weiss, me një traditë mbi 500-vjeçare, si dhe  kompani të specializuara në teknologjinë e ndërtimit, industrinë mekanike dhe sektorin e  ndërtimtarisë. Pjesëmarrja e tyre organizohet në bashkëpunim me VBË – Shoqatën për  Bashkëpunim Ekonomik Shqipëri–Bavari. Gjithashtu, përmes Advantage Austria,  kompanitë austriake prezantojnë zgjidhje dhe produkte në sektorë të ndryshëm, nga  materialet e ndërtimit te bujqësia.

Në krahun tjetër, Ballkani Perëndimor përfaqësohet nga pavijonet kombëtare të Malit  të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe nga një pjesëmarrje e kompanive nga Kosova. Në total, mbi 50 kompani nga rajoni do të kenë mundësinë të  prezantojnë ofertat e tyre, të krijojnë kontakte të reja dhe të zhvillojnë bashkëpunime  tregtare gjatë katër ditëve të Panairit.

Sipërmarrja Shqiptare

Një peshë të veçantë në TIF32 zë sipërmarrja shqiptare, me kompani dhe grupe të  konsoliduara që janë sot ndër protagonistët e zhvillimit të projekte rezidenciale, të  pasurive të paluajtshme, ndërtimit, infrastrukturës, energjisë dhe investimeve strategjike  në vend. Prania e tyre i jep Panairit një dimension të rëndësishëm ekonomik: këtu  prezantohen jo vetëm produkte dhe shërbime, por edhe projekte zhvillimore, kapacitete  investuese, zgjidhje inxhinierike dhe mundësi konkrete bashkëpunimi me partnerë  ndërkombëtarë.

Përgjegjësia sociale dhe lidhja me komunitetin

Klik Ekspo Group ka sensibilizuar kompanitë të kontribuojnë me mundësi pune e  praktikash të paguara, edukim financiar dhe mbështetje për hapësira studimi, duke i  dhënë angazhimit të tyre një përmbajtje të lidhur me nevojat e përfituesve. Në kuadër të  propozimit “TIF për komunitetin”, parashikohen gjithashtu hapësira falas për organizata  sociale, dhurime librash për një bibliotekë shkollore ose komunitare dhe ripërdorimi i  mobilieve, rafteve e pajisjeve funksionale pas Panairit. Këto veprimtari e përçojnë dobinë e  pjesëmarrjes përtej ditëve të ekspozimit, kur një libër, një pajisje ose një mundësi formimi  bëhet pjesë e jetës së dikujt tjetër.

Konkursi Kombëtar i Aftësive, është një tjetër dimension i këtij edicioni të Panairit, një lidhje mes talentit të ri dhe punësimit.  Zhvillimi i konkursit brenda panairit u jep të rinjve mundësinë të demonstrojnë praktikisht aftësitë e tyre përpara kompanive ekspozuese. Punëdhënësit mund të identifikojnë profesionistët e ardhshëm, ndërsa pjesëmarrësit krijojnë kontakte që mund të çojnë në praktika profesionale dhe punësim. Synimi është që talenti të njihet, të vlerësohet dhe të gjejë mundësi pune që përputhen me aftësitë, ambicien dhe potencialin e tij.

Misioni

Përtej dimensionit ekspozues, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi, të promovojë inovacionin dhe të forcojë lidhjet ekonomike mes Shqipërisë dhe tregjeve ndërkombëtare. Prej 32 vitesh, ky event vijon të jetë një hapësirë ku sipërmarrja shqiptare takohet me përvojën ndërkombëtare, ku krijohen kontakte të reja profesionale dhe ku idetë e biznesit shndërrohen në mundësi konkrete bashkëpunimi. Një traditë që e ka kthyer Panairin Ndërkombëtar të Tiranës në një nga platformat më të rëndësishme të prezantimit të potencialit ekonomik shqiptar.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights