Gjykata Kushtetuese ka zbardhur këtë të martë, më 3 mars, vendimin e plotë për lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së, për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë.
Në vendimin prej 42 faqesh, jepen argumentet e trupës gjykuese të përbërë nga Fiona Papajorgji (kryetare), Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Ilir Toska, Genti Ibrahimi, Marjana Semini, Asim Vokshi, Sandër Beci, si dhe Anjeza Puka (sekretare), mbi vendimin e marrë më 6 shkurt, që shkaktoi debate të mëdha për shkak se trupa e lart përmendur u nda në dy grupe.
Sa i përket konfliktit të kompetencave midis qeverisë dhe pushtetit gjyqësor, Gjykata sqaron se masa e sigurimit të ndalimit të ushtrimit të detyrës “është e përkohshme dhe i drejtohet individit e jo institucionit, ndaj nuk mund të barazohet me shkarkimin e ministrit (as de facto) dhe as me pezullimin administrativ, duke mos lindur kësisoj asnjë mosmarrëveshje kompetencash midis pushteteve”.
Në vendim thuhet se zbatimi i saj nuk prek në vetvete kompetencat e pushtetit ekzekutiv, ndonëse ndalon përkohësisht individin deri në tre muaj (neni 267 i KPP-së) të ushtrojë detyrën e ministrit, me qëllim që të garantohet integriteti i procesit penal.
Po ashtu më tej, thuhet se Kushtetuta vërtet nuk parashikon pezullimin administrativ të ministrit nga detyra, por “kjo vjen për shkak se ky funksion është politik” dhe në rastin e verifikimit të shkaqeve të pamundësisë së individit për ushtrimin e detyrës së ministrit (cilatdo qofshin ato), situata mund dhe duhet të zgjidhet me instrumentet politike përmes bashkëveprimit të organeve kushtetuese ose llogaridhënies në Kuvend, sipas neneve 77, 80 dhe 98 të Kushtetutës.
“Për sa më lart, jemi të mendimit se kërkesa ishte haptazi e pabazuar që në krye të herës dhe rrjedhimisht nuk duhej të ishte kaluar për gjykim nga Gjykata në fazën e shqyrtimit paraprak të saj.”, thuhet në dokumentin e publikuar.
Në vendim po ashtu sqarohet se nuk është prekur imuniteti i deputetit por vetëm funksioni si ministre dhe zv.kryeministre i zonjës Balluku.
Në pikën 52 të këtij vendimi thuhet se: “Gjykata evidenton se regjimi i imuniteteve për funksionarët e lartë publikë ka ndjekur zhvillimet e vet modelit kushtetues të shtetit. Në fazën fillestare të tranzicionit demokratik kalimi nga një sistem i centralizuar në një model qeverisjeje të mbështetur në parimin e shtetit të së drejtës dhe në ndarjen e balancimin e pushteteve imponoi si domosdoshmëri forcimin e pavarësisë institucionale të pushteteve dhe organeve kushtetuese. Në këtë kontekst, imuniteti u konceptua si një garanci funksionale për të mbrojtur ushtruesit e detyrave të larta shtetërore nga presione ose ndërhyrje të padrejta që mund të cenonin autonominë e tyre në ushtrimin e funksionit. Megjithatë, me konsolidimin e rendit kushtetues dhe forcimin e institucioneve demokratike, u bë e dukshme nevoja për të thelluar standardet e përgjegjshmërisë e Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Faqe 28 llogaridhënies publike dhe garantimin e parimit të barazisë përpara ligjit. Si rrjedhojë, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, regjimi i imuniteteve ka ardhur duke u ngushtuar gradualisht, jo vetëm për deputetët e ministrat, por për të gjithë funksionarët publikë.”
Ndërsa në pikën 53 sqarohet: “Gjithashtu, Gjykata vlerëson se sistemi qeverisës, sipas Kushtetutës, mbështetet në parimin themelor të shtetit të së drejtës, i cili nënkupton se çdo ushtrues i funksioneve publike, pa përjashtim, përfshirë ministrat si anëtarë të pushtetit ekzekutiv, i nënshtrohet rendit juridik dhe mban përgjegjësi në rast të shkeljes së ligjit. Ky parim kërkon që ushtrimi i kompetencave shtetërore të zhvillohet brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligji. Po kështu, parimi i shtetit të së drejtës lidhet ngushtësisht edhe me parimin e barazisë përpara ligjit, si një nga parimet themelore kushtetuese, sipas të cilit askush nuk gëzon privilegje ose përjashtime nga zbatimi i ligjit për shkak të funksionit që ushtron, përveçse kur ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive sipas nenit 18 të Kushtetutës. Në këtë kuptim, imuniteti i ministrit nuk përbën një privilegj individual ose një formë mbrojtjeje absolute ndaj juridiksionit penal, por një garanci funksionale të kufizuar, e cila synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës. Kjo garanci nuk mund të shndërrohet në pengesë për ushtrimin e ndjekjes penale ose të juridiksionit gjyqësor përtej rasteve të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta.”
Në këtë kuadër, Gjykata çmon se epërsia e Kushtetutës, si ligji më i lartë i rendit juridik, zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i të gjitha organeve shtetërore për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës, si dhe parimi i ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, përbëjnë parimet themelore orientuese për interpretimin e çdo norme që prek regjimin e imuniteteve të funksionarëve të lartë.
“Çdo interpretim që do të zgjeronte fushën e mbrojtjes përtej asaj që parashikon shprehimisht Kushtetuta do të cenonte ekuilibrin kushtetues ndërmjet pushteteve, duke krijuar një trajtim të privilegjuar të papajtueshëm me parimin e barazisë përpara ligjit, pa përligjje të arsyeshme dhe objektive. Një qasje e tillë do të binte ndesh me vetë logjikën e shtetit të së drejtës, i cili kërkon që përgjegjësia dhe llogaridhënia të jenë elemente thelbësore të ushtrimit të funksioneve publike.”, vazhdon arsyetimi i trupës gjykuese.
Pas rreth 2 muajve e gjysmë, Gjykata Kushtetuese u shpreh në 6 shkurt, për kërkesën e paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e GJKKO-së e cila në muajin nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
U deshën 11 orë në Dhomë Këshillimi ku tetë gjyqtarët kushtetues u ndanë në votë. Katër votuan pro kërkesës së kryeministrit dhe katër në favor të masës së vendosur nga GJKKO-ja. Për shkak se nuk u arrit numri i kërkuar i votave për vendimmarrje, kërkesa e kryeministrit Edi Rama u konsiderua e rrëzuar.
