Rritja e aksesit në financim për sektorin e bujqësisë dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme ishte në fokus të një takimi të zgjeruar institucional të zhvilluar në Ministrinë e Financave, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të lartë të qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe sektorit bankar.
Në takim morën pjesë ministri i Financave, Petrit Malaj, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, si dhe drejtues të bankave tregtare dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Diskutimet u përqendruan në ecurinë e Skemës së Garancisë Sovrane dhe Programit të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël dhe të Mesëm (PFBVM), duke analizuar progresin e deritanishëm, sfidat në zbatim dhe masat për rritjen e efektivitetit të tyre në mbështetje të ekonomisë reale.
Ministri Malaj theksoi se bujqësia mbetet prioritet strategjik, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit në tregun e përbashkët evropian, që kërkon rritje të produktivitetit dhe të vlerës së shtuar në zinxhirin prodhues. Sipas tij, Skema e Garancisë Sovrane shërben si një instrument për përshpejtimin e investimeve në sektor, ndërsa mbështetja do të vijojë edhe përmes skemës kombëtare të bujqësisë, paketës fiskale dhe rifillimit të IPARD III.
Guvernatori Sejko e cilësoi skemën si një instrument plotësues që ndihmon në përmirësimin e transmetimit të kreditimit drejt ekonomisë reale, duke ruajtur standardet e menaxhimit të rrezikut dhe stabilitetin financiar. Ai vuri në dukje progresin e arritur, por edhe nevojën për adresimin e disa çështjeve operacionale për të rritur përthithjen dhe efektivitetin e saj, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm mes institucioneve dhe bankave.
Nga ana e tij, ministri Salla bëri të ditur se pas një periudhe informimi dhe njohjeje me instrumentin, është shënuar rritje e interesit dhe e aplikimeve nga fermerët dhe bizneset agropërpunuese. Sipas tij, kjo tregon si nevojën për financim, ashtu edhe besimin në potencialin zhvillimor të sektorit.
Drejtuesit e sektorit bankar konfirmuan se, pas një periudhe njohjeje për sipërmarrësit dhe për bankat, muajt e fundit kanë treguar një gjallërim të skemës. Për më tepër, sipas të dhënave të brendshme, bankat konfirmojnë se, aktualisht, janë në proces vlerësimi një sërë aplikimesh.
Nga ana e sektorit bankar u ofruan disa opinione mbi ndërhyrje të ndryshme që mund të ndërmerren në të ardhmen, me synim rritjen e efikasitetit të përdorimit të skemave. Ministrat dhe Guvernatori u angazhuan për vlerësim serioz të këtyre opinioneve dhe vazhdimin e diskutimit në takimet e ardhshme.
Palët riafirmuan angazhimin për forcimin e bashkëpunimit me qëllim rritjen e kreditimit, nxitjen e investimeve dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, me fokus të veçantë bujqësinë dhe bizneset e vogla.
