Gjykata e Fierit ka dënuar me 25 vite burg një 34-vjeçar, i cili akuzohet se ka porositur një vrasje të mbetur në tentativë për motive gjakmarrjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Fier ekzekutuan vendimin e gjykatës ndaj shtetasit L. H., 34 vjeç, banues në fshatin Garunjas, Lushnjë, i shpallur fajtor për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë.
Sipas hetimeve, L. H. ndodhej më parë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi dyshohej se në vitin 2023 kishte porositur vrasjen e shtetasit M. H.
Hetimi ka zbuluar se ai kishte paguar shtetasin M. M., 31 vjeç, i cili aktualisht është i dënuar, për të kryer atentatin. M. M. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me synim vrasjen e M. H.
Si pasojë e të shtënave me armë, mbeti e plagosur shtetasja B. S., e cila ndodhej në të njëjtin automjet me M. H.
