Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për vitin 2025, qeveria miratoi një akt normativ që parashikon mbështetje financiare për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar, duke u dhënë një bonus fundviti prej 15 mijë lekësh (150 euro) rreth 148 mijë qytetarëve.
“Të dashur qytetarë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam aktin normativ të fundit të vitit, për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025. Disa nga çështjet kryesore që miratuam nëpërmjet këtij akti normativ janë: mbështetje financiare për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike si dhe për personat me aftësi të kufizuar, apo dhe kujdestarët e tyre. Masa e mbështetjes financiare, në formën e bonusit të fundvitit do të jetë 15 mijë lekë, apo 150 euro. Në total nga kjo nismë do të përfitojnë rreth 148 mijë e 500 qytetarë.”, tha Ministri i Financave Petrit Malaj.
Akti normativ parashikon gjithashtu që fondet e papërdorura nga ministritë dhe institucionet buxhetore të kalojnë në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë, me një vlerë minimale prej 150 milionë eurosh, për të mbështetur reformën e pensioneve.
“Është vendosur që për të gjitha ato fonde të cilat nuk do të shpenzohen nga ministritë apo institucionet buxhetore, do të kalojnë në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë. Nga një vlerësim paraprak që ka bërë Ministria e Financave, vlerësohet se shuma që minimalisht do të kalojë në këtë llogari do të jetë në masën 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve të cilën kjo qeveri tashmë e ka nisur.”, janë fjalët e Malajt.
Ndër sektorët e tjerë që do të përfitojnë mbështetje janë bujqësia, ku fermerët do të marrin rreth 2 miliardë lekë shtesë. Po ashtu do të përfitojnë shëndetësia dhe pushteti vendor: “Nëpërmjet këtij Akti Normativ ne do të mbështesim edhe sektorin e bujqësisë ku fermerët do të përfitojnë një shumë prej rreth 2 miliardë lekë shtesë nëpërmjet skemave mbështetëse. Në total fondi i alokuar për vitin 2025, ku fermerët kanë përfituar drejtpërdrejt nëpërmjet këtyre skemave mbështetëse, shkon në masën 6.4 miliardë lekë, krahasuar me 5.3 miliardë lekë që ishte në vitin 2024. Shëndetësia është një tjetër sektor që do të mbështetet nëpërmjet këtij Akti Normativ ku do të përfitojë 18 milionë euro shtesë, mbështetje për ilaçe në spitale. Edhe pushteti vendor do të përfitojë nëpërmjet këtij Akti Normativ duke u mbështetur me rreth 1.2 miliardë lekë shtesë, fonde të cilat do të përdoren për të shlyer detyrimet më të vjetra të parapambetura. Në total, vlera që po i alokojmë pushtetit vendor është e barazvlefshme me rreth 40% të detyrimeve të prapambetura që kanë këto bashki. Këto janë vetëm disa nga politikat që kemi parashikuar në këtë Akt Normativ, natyrisht për të garantuar që fondet publike të përdoren aty ku nevoja është më e madhe.”
Ministri Malaj theksoi se ky akt normativ synon të përdorë fondet publike aty ku është më e nevojshme, duke garantuar stabilitetin ekonomik dhe mirëqenien sociale të qytetarëve.
