Images

Gjykata e Durrësit ka dhënë vendimin për ngjarjen e rëndë të ndodhur një vit më parë në Shënavlash, ku P. M. u vra nga anëtarë të familjes së tij.

Djali i viktimës, H. M., u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm, dhe dënimin do e vuajë në një burg të sigurisë së lartë.

Vajza H. M., u dënua me 8 vite burg, ndërsa A. M. mori 5 vite burg dhe bashkëshortja B. M. 3 vite burg.

Sipas gjykatës, djali kishte rolin kryesor në ekzekutimin e babait të tij, ndërsa të tjerët ndihmuan në kryerjen e krimit.

Pas vendimit të gjykatës, avokatja e të pandehurve deklaroi se ekziston mundësia që autorët e kryerjes së veprave penale, të marrin dënime më të buta.

“Duke qenë profesionistë, ne nuk mund të shprehemi për vendimin e gjykatës. Ne do të animojmë vendimin në Gjykatën e Apelit në Tiranë, sidomos burgimit të përjetshëm të djalit H.M, që unë mendoj se mund të kishte një masë më të butë dënimi dhe dënimit të ashpër të A.M., që u dënua me 5 vite burg për fshehje të kufomës, që është maksimumi i dënimit për këtë vepër penale. Nuk mund të mbajë përgjegjësi një familje e tërë, për krimin që ka kryer një individ.

Ka kushte për të animuar dënimin me burg përjetë, ai është djalë i ri, kur ka kryer krimin ka qenë 24 vjeç dhe në kushtet e një dhune verbale, ne kemi kërkuar dhe kemi kërkuar që të dënohet për vrasje në kushtet e tronditjes psikike, ka kërkuar ndjesë dhe mosprezenca e tij ka qenë për faktin që ka vrarë babanë dhe nuk mund të përballej me situatë të tillë kaq të vështirë. Motivi ka qenë dhuna e vazhdueshme”, tha avokatja.

Vendimi i plotë:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Hy.M për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, të parashikuar nga neni 79/c i K.Penal, dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Hy.M për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuar nga neni 278/4 i K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Pushimin e akuzës për të pandehurin Hy.M për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 dhe 25 i K.Penal.

Në zbatim të nenit 55 të K.Penal, në bashkimim të dënimeve, dënimin e të pandehurit Hy.M me një dënim të vetëm me burgim të përjetshëm.

Deklarimin e fajtor të të pandehurës Hyg.M për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetëstë parashikuar nga neni 301 i K.Penal, dhe dënimin e saj me 3 (tre) vjet burgim.

Deklarimin fajtore të të pandehurës Hyg.M për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 303 dhe 25 të K.Penal, dhe dënimin e saj me 5 (pesë) vite burgim.

Në zbatim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurës Hyg.M me një dënim  të vetëm me 8 (tetë)  vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 303 dhe 25 të K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.

Deklarimin fajtore të të pandehurës B.M për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuar nga neni 301 i K.Penal dhe dënimin e saj me 3 (tre) vite burgim.

Vuajtja e dënimit nga i pandehurit Hy.M të kryhet në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa vuajtja e dënimit nga të pandehurit Hyg.M, A.M dhe B.M të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Në aplikim të nenit 190 të K.Pr.Penale, në lidhje me provat materiale, të disponohet sipas pjesës arsyetuese të këtij vendimi.

Shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak dhe shpenzimet gjyqësore u ngarkohen në mënyrë solidare të pandehurve Hy.M, Hyg.M, A.M dhe B.M.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

U shpall në Durrës, me datë 23.10.2025.

Ngjarja e rëndë tronditi komunitetin e Shënavlashit në Durrës një vit më parë. Pëllumb Meta u vra nga djali i tij H.M, ndërsa familjarët e tjerë dyshohen si bashkëpunëtorë në krim.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights