Kryeministri Edi Rama i cilësoi protestat e zhvilluara në vend gjatë muajve të fundit si shenjë të një shoqërie të re që ka rritur pritshmëritë dhe kërkon më shumë nga qeverisja.
Gjatë pjesëmarrjes në panelin me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”, në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, Rama u shpreh se qytetarët kanë të drejtë legjitime të kërkojnë më shumë vëmendje dhe të shtrojnë pyetje mbi përfitimet që sjell transformimi ekonomik i vendit për ta.
“Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë muajve të fundit është publikuar, ka qenë publike gjerësisht. Madje pati dhe një emër, “Revolucioni i Flamingove”, dhe tërhoqi të gjithë vëmendjen e botës sepse ndodh që pas kësaj është edhe hija e Donald Trumpit. Sepse nuk jam shumë i sigurt që në qoftë se nuk do të ishte Donald Trumpi, do të donte t’ia dinte kush për flamingot në Shqipëri”, u shpreh Rama.
“Megjithatë, mënyra siç e shoh këtë është shumë më ndryshe. Është një Shqipëri e re që kërkon më shumë. Dhe në fakt është ajo çfarë Tocqueville-i e quajti “revolucioni i pritshmërive më të larta”. Njerëzit kërkojnë më shumë. Njerëzit kanë plotësisht të drejtë legjitime të kërkojnë më shumë vëmendje dhe për të ngritur edhe pikëpyetje se ku janë njerëzit në këtë transformim, çfarë ka për ta ky transformim. Dhe në fakt kur flasim për një ekonomi në rritje, kur flasim për investime e kështu me radhë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një faktor të rëndësishëm për rritjen ekonomike, investimet dhe zhvillimin e vendit.
Të pranishëm në panel ishin dhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, komisioneri evropian Valdis Dombrovskis si dhe eurodeputeti Thijs Reuten.
