Një rast i rëndë raportohet të ketë ndodhur në orët e para të së premtes, 17 tetor, në Prizren të Kosovës.
Sipas asaj që thotë Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, rreth orës 00:20 të së premtes, policia ka pranuar dhe intervenuar për një rast të dhunës në familje në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren.
“Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, ka thënë Prokuroria.
Në njoftim bëhet e ditur se Policia dhe njësia e teknikës kriminalistike kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në koordinim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda.
“Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme”, u tha në njoftim.
PTh-ja tha se Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Brenda afatit ligjor, për të njëjtin prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Prizren tha se është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.