Siç njofton Policia, rreth orës 00:55, në rrugën “Arjan Sala”, i është vënë tritol murit rrethues të një banese në Kamzë. Raportohet se banesa në fjalë i përket deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu.
Si pasojë e shpërthimit që mund ta shihni në videon e mëposhtme, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Mësohet se kamerat te banesa e Mziut nuk kanë qenë aktive, për shkak të një defekti. Në këto kushte nuk kanë filmuar asgjë. Ende nuk dihet nëse autori ka vepruar i vetëm apo është ndihmuar nga dikush tjetër.
Po këqyren kamera të banesave të tjera dhe të bizneseve për të ndihmuar hetuesit në zbulimin e identitetit të autorit. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kujtojmë se Mziu ka marrë mandatin e deputetit të PD-së, për herë të dytë radhazi në zgjedhjet e 11 majit. Ai ka mbajtur edhe detyrën si kryebashkiak i Kamzës.
Një rast konflikti ku përmendej emri i tij u raportua në prill 2025, në Ostren të Bulqizës, gjatë fushatës elektorale. Përmes një sqarimi, Mziu pretendoi se e gjithë ngjarja ishte inskenuar.
